Komuna e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Të enjten betohen kryetarët e komunave Zubin Potok dhe Zveçan, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci

Kryetarët e zgjedhur në dy komunat veriore, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan, pritet të betohen të enjten më 25 maj.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut ka thënë për KALLXO.com se ceremonia e betimit do të mbahet në zyrën komunale për komunitete në Çabër.

KALLXO.com ka kërkuar informacione lidhur me vendin ku do të mbahet ceremonia e betimit të kryetarit të Zveçanit dhe është në pritje të përgjigjes nga i njëjti.

Nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kanë njoftuar se betimi i kryetarëve në tre komunat në veri do të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“Deri në fund të javës kanë me u mbajtë seancat inauguruese në tre komunat”- ka thënë për KALLXO.com Arianit Abazi këshilltar politik në MAPL.

Garën për të parin e Zubin Potokut e ka fituar Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës me 196 vota.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 60% në zgjedhjet në Komunën e Zveçanit në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

PDK ka garuar me kandidatin Ilir Pecin në këtë komunë. Ai mori gjithsej 114 vota.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendsoje, që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, mandatin si kryetar i kësaj Komune e ka marrë të premten e kaluar.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1,567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.