Kandidatja i PSD-së për kryetare të Deçanit, Natyra Kuçi në Debat Përnime | Foto: Kallxo.com

PSD premton ruajtjen e demokracisë dhe një opozitë që punon për vendin

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka premtuar ruajtje të demokracisë dhe një opozitë që punon për vendin.

Kuçi përmes një video mesazhi në Facebook ka thënë se “duhet ditur se çfarë do të ndodh pas 7 qershorit për të ditur se kë duhet votuar”.

“Nëse doni me pa një Kosovë e cila i nënshtrohet një pushtetit autoritar, e cila i nënshtrohet kapjes së shtetit, e cila këqyr veç me nda hise për vete, atëherë votoni opozitën formale, e cila është opozitë vetëm sepse Kurti i ka zgjedhur me i mbajt si të tillë. Por nëse doni që Kosova me pasë opozitë që punon për vendin, e cila e ruan demokracinë, e cila nuk e kursen pushtetin e kapjen e shtetit, atëherë duheni me votu PSD-në” – tha ajo.

PSD-ja, sipas saj, nuk ka nevojë me i dhënë më shumë pushtet dikujt që e ka shumicën absolute, por ka nevojë për dikë që rri në opozitë, që punon për të drejtat punëtorëve, që punon për demokraci.

Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.