Kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Tahiri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Tahiri: LDK nuk është pronë e askujt, kush humb duhet të mbajë përgjegjësi

Ish kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri ka reaguar pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve parlamentare.

Ai ka thënë se LDK po humb sepse është larguar nga njerëzit e saj dhe nga populli.

Sipas tij, kush humb duhet të mbajë përgjegjësi.

“LDK po humb sepse është larguar nga njerëzit e saj dhe nga populli. Kjo humbje nuk është rastësi por është pasojë e vendimeve të gabuara Baza ka punuar, aktivistët kanë sakrifikuar, por zëri i tyre është injoruar. Kjo nuk është LDK-ja në të cilën jemi rritur. LDK nuk është pronë e askujt. Ajo duhet t’u kthehet anëtarëve, popullit, garës dhe guximit për të ndryshuar. Kush humb duhet të mbajë përgjegjësi. Unë jam në anën e atyre që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe rikthim të dinjitetit të LDK-së”- ka shkruar ai.

Edhe kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare.

Ai ka kërkuar reflektim dhe veprim të përgjegjshëm.

“Kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet. Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm”- ka shkruar Gashi në Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin preliminar të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Deri në ora 21:44 sipas të dhënave të KQZ-së janë numëruar 94,09%.

Sipas këtyre të dhënave, LVV prin e para me 49,92% të votave, PDK me 21,15% të votave, LDK me 13,81%, AAK me 5,80%.

Nis numërimi i votave – Linku i KQZ-së