Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sveçla: Pres nga Policia dhe Prokuroria të dalin me raport për sulmin në Banjskë e kidnapimin e policëve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ka folur edhe lidhur me hetimet që po bëhen në drejtim të sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë më 24 shtator, po ashtu edhe kidnapimit të tre policëve që ndodhi më 14 qershor të këtij viti.

“Tashmë jeni njoftuar se Policia bashkë me Prokurorinë, e cila udhëheq hetimet janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës” – tha ai.

Tutje Sveçla shtoi se pret që ditëve në vijim PK dhe Prokuroria të dalin me raport mbi gjetjet për këto dy raste.

“Shpresoj që shumë shpjetë do të dalin me rezultatet preliminare që është një ndër kërkesat që i kam adresuar Policisë dhe Prokurorisë, përmes PK-së, mbi gjetjet nga ky rast dhe nga ai i kidnapimit” – tha ministri.

Tutje ai tha se përgjegjësit kryesor për hetimin e këtij rasti janë këto dy institucione ndonëse shtoi se edhe policia e KFOR dhe e EULEX-it janë duke bërë hetimet e tyre.

I njëjti tha se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë raport nga ana e tyre lidhur me hetimet që kanë bërë, por tha se kanë bashkëpunim me ta.

“Ne në vazhdimësi ndajmë informata me ta, nuk e di kur apo a do të dalin me raport për hetimet e tyre. Në cilësinë e raportit nuk kam pranuar diçka, në cilësinë e informatave po shkëmbejmë informata përmes kanaleve zyrtare” – tha Sveçla.

Në orët e para të 24 shtatorit një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Hetimet e forcave të Policisë së Kosovës kishin zbuluar në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, doli publikisht e tha se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë. E ai tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

E disa muaj para se të ndodhte kjo ngjarje, institucionet shtetërore kishin informuar se tre zyrtarë policor ishin kidnapuar në kufi me Serbinë.

Policët për më shumë se dhjetë ditë ishin mbajtur në Serbi, e atyre më 26 qershor iu ishte ndërprerë paraburgimi e më pas ishin kthyer në Kosovë.