Sveçla: Djali i Vuçiqit ka hyrë si qytetar i rëndomtë, Policia e ndaloi një herë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se hyrja e djalit të presidentit serb Aleksander Vuçiq, në Kosovë, ka qenë si qytetar i rëndomtë, dhe kësisoji tha se nuk aplikohen procedura të veçanta.

Sveçla tha se Policia e Kosovës e ka kontrolluar vetëm një herë, dhe se i është larguar bluza e cila mbante një mbishkrim “anti-Kosovë”.

“Ai [Danilo Vuçiq] ka hy si qytetar i rëndomtë. Për hyrje të qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Policia e Kosovës kanë marr vendim të ndalin dhe të kontrollojnë veturat që janë sjell në mënyrë të çuditshme dhe atij i është larguar bluza… me kaq e gjitha ka përfunduar ata janë larguar në Serbi. Vuçiq ka qenë ministër i propagandës dhe se është gënjeshtar kronik po na dëshmon çdo ditë. Djali i tij nuk është ndal tri herë, është ndal një herë”- ka thënë Sveçla në një prononcim para mediave pas mbledhjes së Qeverisë.

Policia e Kosovës e ka ndaluar të mërkurën djalin e presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, Danilo Vuçiq, i cili mori pjesë në festën e “Vidovdanit” e cila u mbajt në Graçanicë.

Pas përfundimit të ceremonisë, Policia e Kosovës ka ndalur veturën ku ishte djali i presidentit të Serbisë dhe ia ka larguar bluzën e cila mbante mbishkrime anti-Kosovë.

Për ndaljen e Danilo Vuçiqit nga Policia e Kosovës ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, duke thënë se kjo nuk është hera e parë.

Vuçiq tha se djali i tij kishte veshur një bluzë me mbishkrimin “dorëzimi nuk është opision” me të cilën ka ecur në mes të Prishtinës.

“E përgëzoj Albin Kurtin për guximin e tij. Ai nuk është aq i guximshëm kur është rreth meje, por në rregull. Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Albin Kurti” – ka thënë Vuçiq, raporton Danas.