Sulmohen tre shtetas shqiptarë në Mal të Zi, Policia malazeze identifikon një të dyshuar

Policia e Shtetit ka njoftuar se tre shtetas shqiptarë janë sulmuar nga disa persona të panjohur në afërsi të qytetit Herceg Novi, në Mal të Zi.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 14:00 në vendin e quajtur “Zelenika”.

“Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur  me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Para disa minutash, kryeminstri i Malit të Zi, Milojko Spajiq ka shprehur keqardhjen e tij në lidhje me këtë ngjarje dhe ka njoftuar që një i dyshuar është identifikuar.

“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët” – ka shkruar kryeministri malalzez, në platformën X.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla teksa e ka ndarë këtë njoftim të kryeministrit Spajiq në platformën X, ka shprehur falenderimin e tij ndaj autoriteteve malalzeze.

“Unë jam mirënjohës për reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe Policisë së Malit të Zi ndaj dhunës së tre qytetarëve të rinj shqiptar sot në Herceg Novi. Një hetim i plotë është duke u kryer dhe personat e këtij akti do të mbahen përgjegjës” – ka shkruar ministri Balla në “X”.

Pas sulmit, siç ka njoftuar Policia e Shtetit, të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale në Herceg Novi dhe kanë pranuar trajtimin mjekësor nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.  

“Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim. Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit” – kanë deklaruar nga Policia e Shtetit.

Kurse, Ambasada e Shqipërisë në Mali të Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë dhe ka njoftuar se po e ndjekë nga afër këtë ngjarje.

“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve” – thuhet në reagimin e Ambasadës Shqiptare në Mal të Zi.

Ndërsa, homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.