Sulmohen fizikisht gazetaret e Lajmi.net në Prishtinë, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se më 03.04.2024 janë sulmuar fizikisht gazetaret e portalit Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha në ‘Rrugën C’ në Prishtinë.

Sipas AGK-së, në pamje shihet se si një grua dhe një burrë i sulmojnë gazetaret dhe tentojnë që t’ia ndalojnë xhirimin.

“Në disa pamje shqetësuese të publikuara nga mediumi, shihet se si një grua dhe një burrë i sulmojnë gazetaret dhe tentojnë që t’ia ndalojnë xhirimin. Krejt kjo sipas mediumit, pasi që taksi në të cilin ndodheshin gazetaret ua kishte bllokuar rrugën atyre, dhe të njëjtit kishin filluar që ta sulmonin fizikisht taksistin”- thuhet në reagim.

Tutje thuhet se për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sulmi fizik ndaj gazetareve Hyseni dhe Berisha është tejet shqetësues, i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.

AGK-ja ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.