Arrestohet e dyshuara që u përfshi në sulmin ndaj gazetareve në Prishtinë

Një ditë pas sulmit fizik ndaj dy gazetareve të portalit Lajmi.net, një grua e dyshuar e përfshirë është arrestuar nga organet e rendit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se është lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M. B., e dyshuar për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, e njëjta është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa është intervistuar edhe një person i dyshuar i përfshirë në këtë rast.

“Po ashtu, në këtë çështje penale janë marrë deklaratat e palëve të dëmtuar dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore” – ka njoftuar Prokuroria më 04.04.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se më 03.04.2024 janë sulmuar fizikisht gazetaret e portalit Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha në ‘Rrugën C’ në Prishtinë.

Në pamjet e publikuara shihet se si një grua dhe një burrë i sulmojnë gazetaret dhe tentojnë që t’ia ndalojnë xhirimin.

 

Sulmohen fizikisht gazetaret e Lajmi.net në Prishtinë, reagon AGK-ja