Millan Radoiçiq

Nga veturat e deri tek ‘Pent House’ – kjo është lista e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara të Radoiçiqit

Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, më 04.04.2024, iu janë sekuestruar dhe konfiskuar disa asete të pasurisë së tij.

Një listë e publikuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo tregon gjësendet e konfiskuara e sekuestruara nga organet kompetente të Kosovës, e të cilat i takonin ish-nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq.

“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit” – tha Haxhiu.

Tutje ajo tha se Radoiçiq, për vete është bërë milioner, sipas saj përmes krimit e qytetarëve ia ka lënë terrorin dhe varfërimin.

“Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhë koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen” – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë.

Lista e pasurisë së konfiskuar dhe sekuestruar të Millan Radoiçiq. Foto: Albulena Haxhiu/Facebook
Lista e pasurisë së konfiskuar dhe sekuestruar të Millan Radoiçiq. Foto: Albulena Haxhiu/Facebook

Sot, më 04.04.2024, zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar (AAPSK) kanë sekuestruar restorantin “Grey” që gjendet në Mitrovicë të Veriut e që po ashtu është pasuri e Radoiçiq.

E sekuestruar ka mbetur edhe një banesë në katin e gjashtë në ndërtesën ku edhe gjendet restoranti.

Shënim: Artikulli është edituar në ora 10:24, më 05.04.2024.