Glorifikohet Millan Radoiçiq në veri të Republikës së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Millan Radoiçiq glorifikohet në veri të Republikës së Kosovës

Në veri të Kosovës ende ka persona që terroristin Millan Radoiçiq po e konsiderojnë hero.

Kështu të paktën tregon një mbishkrim në murin e një ndërtese në Mitrovicën e Veriut.

“Millan Radoiçiq, hero” – ka shkruar dikush me ngjyrë të zezë.

Millan Radoiçiq është personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës më 24.09.2023, në Banjskë të Zveçanit.

Oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një tjetër ishte plagosur e një ishte lënduar nga shpërthimi pas pritës që i ishte bërë patrullës së Policisë në këtë fshat në veri të vendit.

Gjatë kundërpërgjigjes, Policia e Kosovës kishte vrarë tre pjesëtarë të grupit, disa ishin arrestuar e pjesa më e madhe ishte larguar në drejtim të Serbisë.

Pas marrjes nën kontroll të situatës në Banjskë, Policia e Kosovës kishte gjetur sasi të madhe armatimi e municionesh, të cilat i përkisnin grupit terrorist.

Pak ditë pas operacionit, Millan Radoiçiq, në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, kishte marrë përgjegjësinë për gjithçka kishte ndodhur.

Radoiçiq, i konsideruar si “bossi i veriut”, po kërkohet nga institucionet e Kosovës për t’u përgjigjur për veprimet e tij. Ai është futur edhe në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “në hije” i serbëve të Kosovës?