Sulmi ndaj Policisë në Ferizaj, të dyshuarit ende në kërkim

Ka kaluar më shumë se një ditë prej kur dy zyrtarë të Policisë së Kosovës u sulmuan në Ferizaj nga katër persona që po tentonin të kryenin grabitje në në disa bankomate në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.

Armë AK-47 u përdorën për të kryer sulmin në drejtim të patrullës policore, e dyshimet e para thonë se katër të dyshuarit që ishin të pajisur me armë të gjata, ikën nga vendi i ngjarjes në një drejtim të panjohur me një veturë karavan, ngjyrë e zezë.

Të dyshuarit ende nuk janë gjetur, e hetuesit policorë janë duke vazhduar punën për identifikimin e kapjen e tyre.

E gjithë ngjarja ndodhi më 3 nëntor rreth orës 4:50, gjatë një tentim grabitjeje të armatosur te pika e karburantit të “Hib Petrol” në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.

Nga ky rast, policët patrullues nuk pësuan lëndime, ndonëse vetura e tyre u dëmtua nga plumbat që goditën atë.

Policët e përfshirë në rast, po ashtu kanë shtënë me armë në drejtim të të dyshuarve.

Madje, nga PK u publikua edhe një video e kamerave të sigurisë që tregon sulmin që kryen të dyshuarit.

Në një njoftim zyrtar të Policisë, rasti është iniciuar si vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Hetimet e para të hetuesve rajonalë kanë mësuar se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare  “Super Viva” në Ferizaj.

Siç njoftohet, personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët e tjerë.

Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve.