Studentët e Fakultetit Filozofik të UP-së mbajtën diksutim me ish-presidentin Fatmir Sejdiu

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës sot organizoi ligjëratë me ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku u diskutua për ngjarjet, etapat dhe sfidat deri në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Ajo që dëshiroj të prezantoj është ajo çka kam mbajtur mend, që jam marrë me to si në aspektin praktik si të shkrimeve për zhvillimet që kanë sjellë Kosovën deri në datën e 17 shkurtit” – tha Sejdiu para studentëve.

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë diskutimit me studentët e Fakultetit Filozofik. FOTO: KALLXO.com
Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë diskutimit me studentët e Fakultetit Filozofik. FOTO: KALLXO.com

Teksa foli për shtetndërtimin e Kosovës, Sejdiu përmendi edhe rastin kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është shkelur asnjë nen i të Drejtës Ndërkombëtare.

“Procesi i shtetformimit të Kosovës ka përfunduar jo vetëm në vitin 2008 por edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është vendim bumerang që i vjen Serbisë në kërkesën e saj për ta komprometuar bashkësinë ndërkombëtare dhe për ta shkelur Kosovën” – u shpreh Sejdiu.

Gjatë diskutimit me studentët ai u pyet edhe për situatën aktuale në Kosovë ku iu shtrua pyetja se a ka pasur ftesë nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës për të diskutuar lidhur temën e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mirëpo, Sejdiu tha se deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Borxhi im që pas përfundimit të mandatit të ofroj tek secili dhe të them se jam i gatshëm ku do që të ketë nëse di diçka ta them mendimin tim. Sigurisht se nuk kanë pasur kohë ose nuk e kanë pasur të nevojshme, deri tani nuk kemi pasur takime” – u përgjigj ai.

Lidhur me pavarësinë e Kosovës foli edhe Dashamir Bërxulli, dekan në Fakultetin Filozofik i cilu u shpreh i emocionuar.

“Unë personalisht jam shumë i emocionuar edhe për këtë ngjarje madhore të kombit shqiptar, është mahnitëse se si një vend i vogël si Kosova me një popull të vuajtur historikisht, me një ndarje kombëtare që ka lënë shenjë në të gjithë ne, ka arritur që të ndërtojë e të shpallë shtetin” – tha Bërxulli.

Në mesin e dhjetëra studentëve që kishin ardhur për ta përcjellë diskutimin me ish-presidentin Sejdiu ishte edhe Erion Mustafaj nga departamenti i historisë.

“Mendoj që ishte një ligjëratë e mirë, ish-presidenti i tregoi ngjarjet në mënyrë të mirë. Interesi për periudhën e shtet ndërtimit të Kosovës më ka shtyrë që të vij sot këtu ku pata mundësinë të shoh pikëpamjet e ish-presidentit Sejdiu për këtë temë” – tregoi Mustafaj.

Fatmir Sejdiu ka qenë president i Kosovës në periudhën e viteve 2006 deri më 2010.