Foto: KALLXO.com.

Mbahet konferenca shkencore për Konferencën e Londrës

Organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë “Ali Hadri” dhe Departamenti i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina” është mbajtur sot konferenca shkencore “Çështja shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër” (1912-1913).

Studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë shpalosën të dhëna të reja lidhur me pasojat dhe zhvillimet që pasuan çështjen shqiptare pas vendimeve që dolën nga kjo Konferencë.

Organizmi i kësaj konference u pa si i rëndësishëm për të zbardhur më tej çështjet që lidhen me vendimet që mori kjo Konferencë në dëm të shqiptarëve.

Teuta Shala- Peli, drejtoreshë e Institutit “Ali Hadri”, tha gjatë fjalës së saj se konferenca prezanton prurje të reja me rëndësi shkencore.

“Përgëzoj studiuesit për përzgjedhjen e temave të cilat natyrisht se do të sjellin interpretime dhe rezultate të reja të dobishme jo vetëm për qarqet shkencore  por edhe me gjerë”- tha ajo.

Ndërsa, Mentor Hasani, shef i Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik të UP-së, tha se kjo konferencë synon të sjellë risi shkencore për këtë ngjarje.

“Mbajtja e një konference të tillë ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm si një ngjarje shkencore, por edhe një mundësi  ku do të  shfaqen koncepte e teori për pasurimin e mëtejmë të njohurive mbi rëndësinë e vendimeve të Konferencës së Londrës”- tha Hasani.

Akademik Frashër Demaj, gjatë prezantimit të kumtesës së tij “Përplasjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha për përfshirjen e territoreve dhe kufijtë e shtetit shqiptar”, u ndal tek ‘pazaret’ që bënë fuqitë e mëdha në dëm të territoreve shqiptare.

”Diskutimet për kufijtë e Shqipërisë sollën përplasje të ashpra mes fuqive të mëdha. Përplasja më e madhe u bë për qytetin e Shkodrës, ku Austro- Hungaria dhe Italia ishin që ky qytet t’i takojë Shqipërisë, ndërsa Britania e Madhe dhe Franca mbështesnin kërkesën e Rusisë që t’i takojë Malit të Zi”- tha ai.

Ndërsa, akademik Beqir Meta, në kumtesën e tij “Brishtësia e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër përgjatë shek. XX”, u ndal te sfidimi i vendimeve të kësaj konference nga vetë hartuesit e saj.

Gjatë këtij aktivitet shkencor u prezantuan edhe kumtesa të tjera, të cilat shpalosën të dhëna lidhur me Konferencën e Londrës.

Konferenca e ambasadorëve në Londër e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër” i filloi punimet në dhjetor 1912 dhe i mbylli më 29 korrik 1913, kur edhe u mor një vendim për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Por, duke lënë jashtë kufijve të shtetit shqiptar gjysmën e territoreve shqiptare, në veçanti vilajeti i Kosovës që iu dha Serbisë dhe Çamëria – Greqisë.