Spitali i Pediatrisë në QKUK bëhet me rezonancë magnetike, Kurti e Vitia premtojnë një të tillë edhe në Spitalin e Prizrenit

Një rezonancë e re magnetike, me vlerë mbi një milion euro, donacion i Emirateve të Bashkuara të Arabisë është funksionalizuar sot në Spitalin e Pediatrisë “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Ky spital është po ashtu donancion i të njëjtit vend dhe ishte inauguruar më 13 shtator 2021, por që ka nisur të shfrytëzohet më vonë.

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia premtuan se me një rezonancë të tillë do të bëhet edhe Spitali i Prizrenit, në vjeshtë.

“Pas funksionalizimit të rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në Spitalin Pediatrik këtu në QKUK, ndërkaq në vjeshtë do ta kemi edhe rezonancën magnetike në Spitalin e Prizrenit” – tha Kryeministri Kurti.

Me këtë, Kurti tha se dëshirojnë që të ketë sa më shumë decentralizim të shërbimeve cilësore, lista sa më të shkurta të pritjes dhe diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientët.

Ai i falënderoi dhe i përgëzoi të gjithë mjekët e infermierët e këtij spitali.

Ministri Vitia premtoi se investime të tilla, të cilat do të mundësojnë edhe shërbime të reja, do të ketë edhe në Neurokirurgji.

“Paralelisht janë edhe disa projekte shumë të rëndësishme që janë duke u kryer, që deri në vjeshtën e këtij viti, përveç rezonancës në Prizren që e përmendi kryeministri dhe përveç pjesës diagnostikuese, janë edhe pjesë intervenuese ku vetëm në Neurokirurgji është në proces një projekt me teknologjinë më moderne për intervenimin e shumë rasteve të cilat deri tani për shkaqe të ndryshme, për shkak të mungesës së këtyre pajisjeve pacientët tanë është dashur të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore” – tha Vitia.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Narqize Arenliu – Hoxhaj tregoi se kjo është rezonanca e tretë magnetike në QKUK, mirëpo kjo është e dedikuar vetëm për fëmijët.