Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Specialja nuk tregon nëse është konfirmuar apo jo aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale nuk kanë treguar nëse është konfirmuar apo hedhur poshtë aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Që nga bërja publike për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve për krime kundër njerëzimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka pasur afat 6 muaj për të konfirmuar apo jo aktakuzën.

Ndonëse kanë kaluar gjashtë muaj, Gjykata Speciale ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep përmes një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se derisa konfirmimi i aktakuzës të bëhet publik, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj.

“Rregulla 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim.

KALLXO.com e ka pyetur Gjykatën Speciale nëse mund të konfirmojnë raportimet në media vendore se aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit dhe të tjerëve është kthyer për plotësim, si dhe nëse aktakuza ndaj tyre është konfirmuar apo hedhur poshtë, por nuk ka marr përgjigje specifike për këto çështje.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor të këtij viti, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.