Sa ka afat gjyqtari të vendosë për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një fjalim drejtuar qytetarëve pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka thënë sonte se ai do të japë dorëheqje nga posti i tij nëse konfirmohet aktakuza.

Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe disa ish-luftëtarë të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Objekt i aktakuzës ndaj tyre janë 100 vrasje të serbëve, romëve por edhe të kundërshtarëve politikë shqiptarë.

Por, sa mund të zgjasë koha e konfirmimit të aktakuzës?

Në bazë të nenit 39, pika 2 e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake e shqyrton aktakuzën. Kur është i bindur se prokurori i specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë, atëherë gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën.

Ndërsa në rastin kur gjyqtari i procedurës paraprake nuk është aq i bindur, aktakuza ose akuzat që ajo i përmban hedhen poshtë. Lidhur me konfirmimin apo jo të aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake ka afat 6 mujor.

“Bazuar në nenin 39(2) të Ligjit, gjykatësi i procedurës paraprake parashikon një datë për vendimin e vet, datë që në varësi të veçorive të çështjes gjyqësore, nuk është më vonë se gjashtë (6) muaj nga dorëzimi i aktakuzës dhe i materialit mbështetës”, thuhet në rregullën 85 të rregullores së procedurës dhe provave para dhomave të specializuara të Kosovës.

Duke e pasur parasysh se aktakuza i është dorëzuar Dhomave të Specializuara më 24 prill 2020, atëherë koha e fundit kur mund të konfirmohet aktakuza është 24 tetori i këtij viti.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në deklarimin e parë publik pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, tha se nëse konfirmohet aktakuza, ai do të japë dorëheqje menjëherë.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, tha Thaçi.

Të mërkurën Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Aktakuza i ngarkon me një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.