Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil

Sindikata e Punëtorëve i gëzohet shkarkimit të drejtorit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e drejtorit të këtij institucioni, Bujar Ejupin është shkarkim i vonshëm, por e kanë përshëndetur si të tillë.

Ata kanë falënderuar ‘përzemërsisht të gjithë ata që janë solidarizuar dhe kanë përkrahur drejt këtij qëllimi’.

Sipas reagimit të kësaj Sindikate, vendimi vjen pas tre viteve të shkeljeve profesionaleve dhe keqmenaxhim, sipas tyre, të Bujar Ejupit.

“Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Drejtori i Autoritet të Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi është shkarkuar sot nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ekzekutivit.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës tha se janë disa shkelje që janë bërë nga Ejupi.

Shkarkimi i Ejupit erdhi pas më shumë se një viti, prej që Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil, i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit shkarkimin e tij, për shkak të disa shkeljeve të pretenduara.

Po ashtu, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte anuluar vendimin Bujar Ejupit, për uljen në pozitë të Arianit Dobroshit, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, (SPAAC).

Dobroshi ishte ulur nga pozita e “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar” në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar” me vendim të drejtorit Ejupi.

Në anën tjetër, në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

I njëjti rast fillimisht ishte trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pas informacioneve që kjo e fundit kishte pranuar nga një sinjalizues.

Prokuroria po e heton zgjedhjen e Bujar Ejupit në postin e drejtorit të AAC-së