Ilustrim

Bordi Mbikëqyrës i AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit

Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenin 20 të ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.

E këtë kërkesë, bordi bbikëqyrës e ka arsyetuar në një letër 4 faqëshe në të cilën ka listuar katër shkelje që ata pretendojnë që i ka bërë drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi.

Ky i fundit, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë shkurt se nuk e komenton letrën e bordit mbikëqyrës.

Ndërsa, deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim që e mbikëqyr këtë institucion, nuk i kanë marrë parasysh shqetësimet e tre anëtarëve të bordit, nënshkrues të kësaj letre.

Ky komision e ka miratuar raportin e dorëzuar nga drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, ani pse i njëjti raport nuk është miratuar fare nga bordi mbikqyrës i këtij institucioni.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga kryetarja e këtij komisioni Parlamentar, Fitore Pacolli Dalipi. Ajo ka thënë se do të përgjigjet me email lidhur me pyetjet rreth shkresës që kanë pranuar nga bordi mbikqyrës dhe arsyet pse kanë vendos me e miratu një raport që nuk ishte miratuar nga bordi. Por, ajo më nuk është përgjigjur në pyetjet që KALLXO.com i ka dërguar të mërkurën, më 20 korrik. 

“Bordi Mbikqyrës i AAC-së nuk e ka miratuar raportin e punës së AAC-së për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2021, të cilin drejtori i përgjithshëm na e ka dorëzuar dhe rrjedhimisht as Raportin Vjetor 2021 të AAC”, thuhet në fillim të shkresës së Bordit Mbikqyrës, që është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të bordit, përkatësisht nga: Ardian Gaxherri, Nazlije Korcaj, Jeton Paloka”.

Arsyeja e parë për shkarkim, sipas bordit është mungesa e bashkëpunimit me drejtorin e përgjithshëm.

“Kërkesat tona për informacion shtesë në mënyrë të vazhdueshme janë neglizhuar, zvarritur ose nuk kanë marrë fare përgjigje, e kur na janë dhënë përgjigjet kanë qenë gjysmake që e ka bërë të pamundur që ne të kemi pasqyrë gjithëpërfshirëse e të bazuar në argumente për të ushtruar mbikëqyrjen në mënyrë objektive, efikase dhe profesionale të çështjeve të ngritura nga ana e jonë”, thuhet në këtë letër.

Ata kanë thënë se atyre nuk u është dorëzuar Plani i punës dhe ai Financiar për vitin 2021 e as për vitin 2022.

“Ne kemi vërejtur me keqardhje se Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryesuesi i Bordit për shkak të lidhje miqësore që kishin, gjatë gjithë kohës na kanë anashkaluar neve anëtarëve të tjerë të Bordit, duke mos na përfshirë në komunikim dhe duke mos na ofruar informata e dokumentacion të nevojshëm”, thuhet në shkresën e bordit.

Tutje Bordi ka ngritur shqetësime rreth zbatimit të vendimit të drejtorit të përgjithshëm që e obligon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës që të zbatojë rregullore mbi qasjen në tregun e shërbimeve në tokë.

Në shkresë është përshkruar komplet procedura, duke përfshirë kontestimin dhe faktin që LKIA nuk është gjobitur, por janë përshkruar edhe kundërshtimet që i ka bërë LKIA, duke e dërguar rastin deri në gjykatë.

Në letër, anëtarët e bordit e kanë vlerësuar se drejtori i përgjithshëm ka bërë shkelje të detyrave profesionale dhe atyre ligjore, pasi tregu vazhdon të mos jetë i liberalizuar.

Arsyeja e tretë për shkarkim sipas anëtarëve që e kanë nënshkruar këtë letër është diskriminimi i një pjese të punëtorëve, kryesisht ata që janë pjesë e sindikatës.

Bordi pretendon se drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi me marrjen e mandatit në qershor të 2020 ka filluar ndëshkime të stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Sindikatën e Punëtorëve të AAC-sl ndërsa ka favorizuar të tjerët, jo anëtarë të sindikatës. 

“Ne si bord, kemi sugjeru inicimin e procedurës disiplinore ndaj Zyrtares Ekzekutive për shkak se ajo nuk ka përmbushur obligimet e saj ndaj Bordit,  ndërsa DP (drejtori i përgjithshëm) ka amnistuar shkeljen. Zyrtarja nuk është anëtare e Sindikatës”, vazhdon letra.

Sipas Ligjit për Aviacion Civil, transportuesit e jashtëm ajror komercial mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre për në Kosovë, nga dhe përmes Kosovës, e të cilat duhet të miratohen dhe rregullohen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Në raportin tremujor të punës korrik- shtator 2021, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së më 10 gusht 2021 ka organizuar takim me përfaqësues të ASHNA dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit për të diskutuar për shfrytëzim të hapësirës ajrore të Kosovës për operimet komerciale, që kanë destinacion aeroportin e Kukësit. Është e habitëshme që Drejtori i AAC e thërret takimin me 10 fusht 2021, ndërsa ka autorizuar fluturime që nga 9 korriku i vitit 2021”, thuhet në këtë shkresë.

Por sipas bordit mbikëqyrës të AAC-së, drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi, ka lëshuar 16 leje GAT-VFR për një kompani dhe 16 leje të tjera GAT – VFR për një transportues tjetër ajror komercial ndonëse ato kanë transportuar pasagjerë, kompanitë do të duheshin të trajtohen si transportues ajror komercial.

“Drejtori i Përgjithshëm, Bujar Ejupi ka bërë shkelje dukë lëshuar 30 leje në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe ka ndërhyrë në kompetencat e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Me këto veprime, z. Ejupi ka rrezikuar edhe sigurinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës”, thuhet në shkresën e Bordit.

Bordi u ka rekomanduar, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Planifikim dhe Zhvillim si dhe Auditorës së Përgjithshme që të marrin parasysh shkeljet e pretenduara dhe të ndërmarrin menjëherë veprime.

Për letrën 6-faqëshe të bordit të AAC-së, KALLXO.com ka kontaktuar me Qeverinë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.