Foto: Valentina Gara - Facebook
KPMSHCK anulon vendimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil për uljen në pozitë të kryearit të Sindikatës, Arianit Dobroshi
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka anuluar vendimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, për uljen në pozitë të Arianit Dobroshit, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, (SPAAC).
Dobroshi ishte ulur nga pozita e “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar” në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar” me vendim të drejtorit Ejupi.
Sipas vendimit, drejtori i AAC-së obligohet që brenda 15 dite nga nxjerrja e këtij vendimi të kthej Dobroshin në pozitën e tij të mëparshme.
“Obligohet Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës që brenda 15 ditë nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin në vendin e punës sipas akt-it të emërimit të datës 30.04.2013 më të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës si dhe të bëjë kompensimin e diferencës së pagës nga data 21.11.2022 deri në zbatimin e këtij vendimi”- theksohet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
“… vendimi si i tillë është nxjerrë në kundërshtim me Ligjin nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, për shkak se ankuesit i është bërë ulja në pozitë nga “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar”, në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar”, dhe këto veprime pretendon se janë për bërë për shkak se ankuesi është anëtar i kryesisë së Sindikatës së Pavarur Mbikëqyrëse për Shërbimin Civil të Kosovës”- thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Për këtë vendim të KPMSHCK-së kanë reaguar nga Sindikata e Punëtorëve të AAC-së (SPAAC), duke thënë se një vendimi tillë i drejtorit, Bujar Ejupi për uljen në pozitë të Arianti Doborshit është bërë ndër të tjera edhe për shkak të paraqitjes së tij në Komisionin për Barazi Gjinore në lidhje me pretendimet e pesë punëtorëve, gra të AAC për ‘shkelje të ndryshme dhe diskriminim’.
“I dëshpëruar që ndëshkimet sistematike ndaj anëtarëve të SPAAC nuk po i kanë sukses dhe i vendosur që të hakmerret ndaj Kryetarit të SPAAC, Bujar Ejupi kishte tentuar dy herë që ta ulë në pozitë z.Dobroshi gjatë vitit 2022 duke shpikur një arsye e cila që dy herë po dëshmohet si e kundërligjshme. Me tentativën e dytë për ta degraduar z.Dobroshi duke përdor të njëjtën arsye, Ejupi shpërfaqë motivin e tij hakmarrës. Ky ndëshkim ka ardhur pas paraqitjes së z.Dobroshi në Komisionin për Barazi Gjinore në mbështetje të rastit të 5 grave profesioniste të AAC-së para këtij Komisioni”- kanë thënë nga Sindikata e Punëtorëve të AAC-së.
Nga kjo Sindikatë kanë thënë se ndaj Dobroshit është lëshuar edhe një vendim për herë të dytë me “qëllim përndjekje sipas tyre” më 30 dhjetor të vitit të kaluar për heqje të kredencialeve të inspektorit të rregullimit ekonomik.
“Me qëllim përndjekjeje, Ejupi ka nxjerrë 5 vendime dëmtuese ndaj Kryetarit të Sindikatës në AAC, 4 prej tyre gjatë vitit 2022. Vendimi i 5-të i Ejupit ndaj z.Dobroshi, i cili është në ankimim e sipër, është lëshuar më 30 dhjetor 2022 përmes të cilit poashtu për herë të dytë po tenton t’ia heq kredencialet e inspektorit të rregullimit ekonomik z.Dobroshi pas tentativës së dështuar vitin e kaluar, duke harruar se këto kredenciale janë fituar me mund e investim publik dhe se z.Dobroshi ushtron vazhdimisht funksionin e inspektorit që 5 vite”- thuhet në reagimin e Sindikatës.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të AAC-së për këtë vendim dhe reagimin e sindikatës dhe është në pritje të përgjigjes.
KPMShCK shfuqizon vendimet e drejtorit të AAC-së për tërheqjen e kredencialeve për tre inspektorë
Sindikata e punëtorëve të AAC-së: Drejtori i Përgjithshëm po rrezikon kapacitetet humane mbikëqyrëse