Prokuroria po e heton zgjedhjen e Bujar Ejupit në postin e drejtorit të AAC-së

Në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

I njëjti rast fillimisht ishte trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pas informacioneve që kjo e fundit kishte pranuar nga një sinjalizues.

Sinjalizuesi, në shkresën që kishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte pretenduar se Bujar Ejupi ishte mik i ministrit dhe se ka qenë i angazhuar në fushatën elektorale të Arban Abrashit, në kohën kur ky i fundit garonte për kryetar të Prishtinës.

KALLXO.com ka marrë një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit rreth raportimit që kanë pranuar për emërimin e Bujar Ejupit drejtor të AAC-së.

“Lidhur me pretendimet për konflikt të interesit për zyrtarin e lartë z. Bujar Ejupi, Drejtor i AAC-së, Agjencia, bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 03/L-159 për Agjencinë kundër Korrupsionit ka zhvilluar procedurën e hetimit paraprak. Pas përfundimit të procedures së hetimeve paraprake, Agjencia në mungesë të kompetencës ligjore për veprime të caktuara hetimore dhe mundësive reale për hetim dhe verifikim, rastin e ka përcjell në institucionet kompetente për procedim të mëtutjeshëm”- thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për KALLXO.com.

Agjencia Kundër Korrupsionit në bazë të ligjit obligohet që t’i dërgojë në prokurori rastet që kanë elemente të veprës penale.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Shtetit për rastin që kanë pranuar nga AKK për emërimin e drejtorit të AAC-së, Bujar Ejupit.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se rasti është në trajtim nga ana e Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës kur është pyetur për rastin e pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit për emërimin e drejtorit të AAC-së.

Buajr Ejupi ishte emëruar drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës pas propozimit të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Në shkresën e sinjalizuesit ishte ngritur edhe ëështja e emërimit të kryesuesit të bordit mbikqyrës të AAC-së, Skender Halili.

Por, në një përgjigje për KALLXO.com, AKK thotë se rasti i Halilit është mbyllur.

“Lidhur me Zyrtarin e lartë z. Skender Halili, Kryesues i Bordit Mbikëqyrës të Autoritetit të Aviacionit Civil, Departamenti për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ka trajtuar rastin me numër protokolli AKK-DPKI-06-1225/22, duke zhvilluar procedurën e paraparë sipas Ligjit nr.06/L-01 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik  dhe rasti në fjalë është mbyllur”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për KALLXO.com.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje në lidhje me rastet edhe Bujar Ejupit dhe Skender Halilit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Gjithashtu, KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe ish-ministrit Arban Abrashi, por deri në publikim të shkrimit ai nuk ka kthyer përgjigje.

AAC propozon dyfishim të stafit dhe pozitën e zv.drejtorit që nuk ekziston me ligj