Seanca për rrëzimin e Qeverisë, nesër në 11:00

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca për rrëzimin e qeverisë të mbahet nesër, të mërkurën në ora 11:00.

Kundër caktimit të kësaj seance ka qenë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nga LDK dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi e ka konfirmuar pas mbledhjes së kryesisë.

“Të gjitha GP pa përjashtim kanë qenë për seancë 4 për vota dhe 2 kundër. Kryetarja dhe nënkryetarja kanë kërkuar që seanca të mbahet në rrethana tjera. Seanca është kërkuar që të mbahet në ora 11:00”, tha Selimi pas takimit të kryesisë.

“GP i LDKsë është këmbëngulëse që nesër të mbahet seanca për mocionin ndaj qeverisë. Kundërshtarët e qeverisë Kurti kanë lidhur aleancë mes vete kur ne po vazhdojmë të përballemi me koronavirusin. Grupet parlamentare të prira nga LDK-ja kërkojnë me insistim që pavarësisht që nuk ka kushte, të mbahet seanca”, tha në mes tjerash Selimi.

LDK është partnere në qeverinë Kurti dhe ka qenë iniciator e mocionit për rrëzimin e Qeverisë, pas vendimit të kryeministrit Kurti për ta shkarkuar Agim Veliun.