Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Unë moti jam për zgjedhje, veç le të vendoset a më mirë verës apo vjeshtës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Ai tha se gjatë mbledhjes së Kryesisë nuk pati kërkesë për këtë çështje, megjithatë përsëriti qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti që partia në pushtet është e gatshme për zgjedhje.

“Ju e dini se unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë se opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje, por tash të gjithë po thonë se duhet sivjet. Ky vit i ka disa muaj dhe unë nuk mund të them se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të ndonjë iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje”- tha ai, më 25.03.2024.

Konjufca u sugjeroi partive politike të ulen dhe të shohin se cila është koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, në verë apo vjeshtë.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, ka kohë që kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Javën e kaluar, oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

Derisa PDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja ka konsideruar se Kurti është dorëzuar dhe si i tillë duhet të jap dorëheqje pa mocion. E AAK-ja, ka përkujtuar se ka qenë e para që ka iniciuar Mocionin e votëbesimit ndaj pushtetit aktual.

Në konferencë për media në trevjetorin e qeverisjes së tij Kurti tha se qeveria nuk ka arsye pse të rrëzohet.

Ai tha se nëse opozita dëshiron zgjedhje mund të ulën të bisedojnë për shpërndarje të Kuvendit, por jo për rrëzim të Qeverisë.

Shefja e Grupit të deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila konsideron se në rrethanat aktuale, kur brenda opozitës nuk ka konsensus për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk është serioze të kërkohen votat e deputetëve të LVV-së për mbështetjen e Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.