Musliu për shkarkimin e tij: U shokova, deri dje më përgëzoi Përparim Rama për punën time

Ilirik Musliu, tashmë ish-drejtor i Shërbimeve Publike në Kryeqytet, ka reaguar pas vendimit të kryetarit Përparim Rama për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit.

Musliu përmes një video në “Facebook” ka thënë se është i shokuar nga vendimi për lirimin nga detyra për shkak se, sipas tij, vazhdimisht është përgëzuar nga kryetari Rama për përformancen e tij.

“Jam totalisht i habitur dhe i shokuar nga ky vendim, për faktin se me angazhimin, vullnetin dhe punët e shkëlqyra gjithmonë në bashkëpunim me kryetarin Rama, e këtë më së mirti e dëshmon fakti së rreth 70 për qind të prezantimit të punëve dhe projekteve nga kryetari, janë të drejtorisë së Shërbimeve Publike”- ka thënë Musliu. 

 

“Jam ende më i habitur sepse një ditë më parë e njoftova për projektin e parkingut solar në Parkun e Gërmisë, për çka u përgëzova”- shtoi ai.

Sipas Musliut, për vendimin për lirimin nga detyra u njoftua nga postimi i kryetarit kryeqytetas në Facebook dhe jo në rrugët zyrtare.

“Gjatë këtyre dy viteve, kam qenë profesional dhe lojal në mision që më është dhënë, duke u zhvesh nga petku politik për të punu në të mirën e qytetarëve të kryeqytetit.E kulmi i gjithë kësaj situate është se u njoftova përmes kanalit jo zyrtar, në Facebook, në një status të pasinqertë dhe të pasaktë në përmbajtje”- tha Musliu.

Ai shtoi së përgjegjës direkt për menaxhimin e mbeturinave është ndërmarrja publike regjionale “Pastrimi”.

“Gjendja alarmante me mbeturinat” janë shkak që kryetari Përparim Rama më 2 shkurt 2024, tha se ka çuar në lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Sipas Ramës, në cilësinë e kryetarit, ka ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj “mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë”.

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal në Kryeqytet, Leutrim Retkoceri, e quajti hakmarrje shkarkimin e drejtorit, Ilirk Musliu, pasi kjo parti nuk e mbështeti për këmbim të pronave në Badovc.

Shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike e quajti revansh edhe nënkryetarja nga radhët e PDK, Donjeta Sahatçiu. Derisa, shefi i asamblistëve të LVV, Gëzim Sveçla, këtë veprim tha se e sheh si fillim të fundit të këtij koalicioni.

Tri seancat e fundit të Kuvendit Komunal në Kryeqytet janë bojkotuar nga PDK, partner në koalicionin qeverisës me LDK. PDK pati deklaruar se vetëm kur të ketë transparencë dhe hapësirë për kontribut në hartim të rendit të pikave për diskutim, do kthehen në seanca.