Edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme emërohen 4 zëvendësministra

Si gati në të gjitha ministritë e tjera, edhe në dikasterin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Meliza Haradinaj- Stublla e AAK-së, janë emëruar katër zëvendësministra.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar se Gani Dreshaj i AAK-së, Teuta Sahatqija e LDK-së, Bekim Brestovci i Nismës Socialdemokrate dhe Muhamet Brajshori, janë emëruar deri më tani si zëvendësministra në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Njëjtë si në dikasterin e diplomacisë, katër zëvendësministra janë emëruar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Agim Veliu i LDK-së.

LDK kritikonte fort qeverisjen e Ramush Hardinajt për emërimet e shumta të zëvendë/ministrave. Vetë Hoti, që tani drejton ekzekutivin kosovar, thoshte se Qeveria e Haradinajt ishte më e madhja në botë.

LDK edhe në programin e saj qeverisës kishte premtuar qeveri të vogël me 12 ministri e jo më shumë se dy zëvendësministra për një dikaster.