Vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

Rrjeti i Grave të Kosovës për vrasjen në Ferizaj: Ishin takuar për të vendosur mbi kujdestarinë e fëmijës së tyre

Pas vrasjes së 21-vjeçares dhe plagosjes së vëllait të saj 15-vjeçar te objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

RrGK thotë se i dyshuari dhe viktima ishtin takuar në QPS për të vendosur mbi kujdestarinë e fëmijës së tyre. Siç raportoi KALLXO.com, 21-vjeçarja e vrarë dhe i dyshuari për vrasjen e saj dhe plagosjen e të vëllait 15-vjeçar, bashkëshorti i saj 36-vjeçar, kanë një fëmijë 1-vjeçar.

“Sot Kosova u trondit nga edhe një rast femicidi, ku e vrarë nga ish-bashkëshorti mbeti një 21 vjeçare. Ngjarja ndodhi në dyert e Qendrës për Punë Sociale, aty ku ishin takuar për të vendosur mbi kujdestarinë e fëmijës së tyre të përbashkët. I plagosur ka mbetur vëllau i viktimës” – kanë shkruar nga RrGK më 12.04.2024.

Sipas RrGK, gratë kosovare po jetojnë në frikë dhe nuk po kanë siguri as kur u drejtohen institucioneve për ndihmë.

“Kjo ngjarje na ka trishtuar e na ka shqetësuar tej mase. Gratë kosovare po jetojnë në frikë të plotë, ato nuk po kanë siguri, as atëherë kur po ju drejtohen institucioneve për ndihmë. Vrasjet e grave po ndodhin ne dyert e institucioneve tona” – janë shprehur nga RrGK.

Me këtë rast, RrGK u ka bërë thirrje institucioneve që rasti ta marrë drejtësinë e duhur e vrasësi dënimin meritor dhe po ashtu i kanë shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

“Ne sot u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante ta bëjnë punën e tyre që ky rast sa më parë ta marrë drejtësinë e duhur dhe vrasësi ta marrë denimin meritorë. Rrjeti i Grave të Kosovës i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerës!” – kanë përfunduar nga RrGK.

Policia në Ferizaj e ka konfirmuar se i dyshuari, Valon Aliu, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

36-vjeçari Valon Aliu është ish-bashkëshorti i viktimës, i cili u arrestua nga policia pasi fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur, pas ngjarjes.

Pas vrasjes së 21-vjeçares, është thirrur protestë nga aktivistë dhe anëtarë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ata kanë njoftuar se protesta do të mbahet më 15.04.2024, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:30.

Në thirrjen e tyre për protestë nga Kolektivi e kanë konsideruar vrasjen e 21-vjeçares si vrasje që ka ndodhur “në sytë e shtetit”, e që sipas tyre, vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta.

Për shkak të kësaj gjendje, ata konsiderojnë se të gjithë duhet të ngriten në këmbë kudo, për të kërkuar nga shteti që ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare.

“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti. Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare” – kanë shkruar në thirrjen e protestës nga Kolektivi.

Më tej, Kolektivi ka vlerësuar se teksa vajzat dhe gratë janë duke luftuar me këtë sistem me jetën e trupat e tyre, të cilin e kanë quajtur “vdekatar”, ata nuk mund të qëndrojnë të qetë e të vazhdojnë jetën me ritme normale. 

“Ne duhet të dalim nga shtëpitë, zyret, punishtet, klasët e mësimit e kafenetë dhe ta denoncojmë e sfidojmë rendin patriarkal që po ushqen dhunë të përditshme ndaj vajzave dhe grave dhe femicid. Ne thërrasim në revoltë dhe demonstratë gjithëpopullore, këtë të hënë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:30. Të hënën e çdo ditë tjetër luftojmë për sigurinë tonë dhe të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë. Luftojmë që asnjë grua të mos frikësohet, dhunohet a vritet” – kanë theksuar nga Kolektivi.

Në lidhje me rastin, për ekipin e KALLXO.com ka dhënë detaje mjeku kujdestar i Spitalit të Ferizajt, Sefedin Fazliu.

Sipas Fazliut, ata kanë pranuar rreth orës 15:00 të plagosurin për të cilin ka thënë se ka qenë i plagosur në parakrahun e dajthtë. Siç ka njoftuar Fazliu, 15-vjeçari është dërguar për radiografi ku edhe është vërtetuar plagosja e tij në parakrahun e djathtë dhe i është tërhequr plumbi.

“Rreth orës 15:00 sot kemi pranuar nga shërbimi i urgjencës një rast, ku pacienti ka qenë i plagosur në parakrahun e djathtë. Meqenëse gjendja e tij ka qenë stabile ne e kemi dërguar menjëherë për radiografi. Në radiografi është vërtetuar se pacienti ka një plumb në parakrahun e djathtë dhe nga ana e ortopedit është intervenuar, është larguar plumbi” – ka deklaruar Fazliu.

Sipas tij, plumbi i është dorëzuar Policisë së Kosovës, ndërsa i plagosuri është dërguar në repartin e ortopedisë për trajtim të mëtutjeshëm të plagës së marrë.

“Plumbi i është dorëzuar shërbimit policor të Kosovës dhe pas imbolizimit të dorës meqenëse ka qenë edhe frakturë e njërës kockë të parakrahut është pranuar në repartin e ortopedisë pas trajtimit këtu në shërbimin e emergjencës dhe pas marrjes së terapisë adekuate pacienti ka qenë jashtë rrezikut për jetë, dhe është pranuar në repartin e ortopedisë ku vazhdon edhe trajtimin e mëtutjeshëm” – ka thënë Fazliu.

Ai po ashtu ka njoftuar se Policia e Kosovës ia ka marrë deklaratën 15-vjeçarit, meqenëse ka qenë dëshmitar i vrasjes së motrës së tij 21-vjeçare te objekti i QPS-së në Ferizaj.

“Policia ka marrë deklaratën e tij (të plagosurit) për ngjarjen për të cilën ka ndodhë dhe prapë do të sillet në repartin e ortopedisë” – njoftoi Fazliu.

Ndërsa, në lidhje me konstatimin e vdekjes së 21-vjeçares, Fazliu tha se vdekja e saj është konstatuar nga shërbimi i urgjencës së komunës.

“Shërbimi i urgjencës të Komunës së Ferizajt del në vendin e ngjarjes, ku në vendin e ngjarjes ka konstatuar se një paciente femër nuk ka shenja jete dhe ka njoftuar shërbimin policor, po ashtu edhe Mjekësinë Ligjore, e cila do ta tërheqë (trupin) nga vendi i ngjarjes” – ka përfunduar Fazliu më 12.04.2024.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohet se gjatë një takimi në mes dorasit dhe viktimës në QPS, ai ka shkrepur armën në drejtim të viktimës dhe për pasojë ajo ka vdekur, ndërsa një person tjetër që mbeti i plagosur, është duke u trajtuar në Spitalin e Ferizajt.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar dënim maksimal për të dyshuarin për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj 15-vjeçar te objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Osmani ka thënë se vrasja e 21-vjeçares është një përkujtim se vrasësit, të cilët i ka quajtur “mizorë”, janë ata të cilët shkatërrojnë jo vetëm jetën e grave por edhe thelbin e shoqërisë.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj. 

Edhe sipas Aliut viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.

“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook, më 12.04.2024.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.

E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim që po përsëritet.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje” – ka shkruar kryeministri Kurti, në profilin e tij në Facebook më 12.04.2024.