ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Rrjeti i Grave aksion para Prokurorisë, kundërshtojnë dënimet e ulëta në rastet e vrasjeve të grave

Rasti i fundit i uljes së dënimit nga burgim i përjetshëm në 24 vjet burg për Pjetër Ndrecajn ka bërë që Rrjeti i Grave të Kosovës nesër të zhvillojnë një aksion i cili kundërshton dënimet e ulëta siç thonë për ‘vrasësit e grave’.

Me anë të një njoftimi RrGK ka thënë se nesër nga ora 12 do të mbahet një aksion para Prokurorisë së Shtetit. Në njoftim thuhet se aksioni do të ndërmerret duke respektuar distancën dhe duke vendosur edhe maskat.

“Gratë në Kosovë po vazhdojnë të vriten nga burrat dhe dhuna në shumë familje kosovare po mbetet përditshmëri tejet e hidhur. Për institucionet e drejtësisë duket se jeta e grave në Kosovë vlen pak. Dënimet e shqiptuara nga institucionet janë të ulëta dhe përçojnë mesazhin se dhuna ndaj grave është e tolerueshme dhe se nuk merr dënim meritor”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Ky aksion do të mbahet me jo më shumë se pesë persona sic ka njoftuar Rrjeti i Grave të Kosovës për shkak të kufizimit nga ana e Policisë së Kosovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar edhe dje për uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecaj, i cili në mbrëmjen e shtatë gushtit të 2018-tës, kishte vrarë gruan e tij Valbonën dhe vajzën e tij.
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg dhe po ashtu dënohet më vit burg për armëmbajtje pa leje.

Rrjeti i Grave të Kosovës është shprehur shqetësuese për një dënim të këtij lloji. Në reagimin e RrGK-së thuhet se dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë përveç me rrethanat e kryerjes së veprës po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.

Gjykata ul dënimin për Pjetër Ndrecajn