Klasa e Prindërimit, Foto: Lekë Rizvanolli/KALLXO.com

Shkrim-leximi ‘i kthen’ në kohë 35 gra të komuniteteve në Fushë-Kosovë

35 gra të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian çdo të premte bëhen bashkë në Klasën e Prindërimit në Fushë-Kosovë, për të mësuar shkrim e lexim. Ato janë nëna e vajza të reja, nga mosha 14 deri 75-vjeçe.

Disa metra larg shtëpive të tyre, në Lagjen 28 dhe Lagjen 29 në Fushë-Kosovë, nëna e vajza, të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë përfunduar shkollimin, kanë gjetur vullnetin t’i kushtojnë kohë edhe pas disa vitesh mësimit të shkrimit dhe leximit.

Ky mësim për to është shumë i rëndësishëm pasi nuk i ndihmon vetëm ato, por edhe fëmijët e familjarët e tyre.

“Këto klasa kanë për qëllim që gratë që nuk kanë pasë mundësi të shkojnë në shkollë për shkak të kushteve socio-ekonomike apo për shkak të një martese të hershme të mësojnë shkrim e lexim. Ne e dimë që në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ka shumë mungesë të arsimimit të grave dhe si pasojë ka lindur edhe ideja e një klase për shkrim-lexim” – ka thënë për KALLXO.com koordinatorja e projektit, Elza Luzha-Bacaj.

Sipas mësueses së këtyre grave, Almedina Ajvazi, ka nga gratë që në fillim nuk kanë ditur ta shkruajnë as emrin e tyre.

Një grua 75-vjeçare tregon se më parë s’ka pasur mundësi t’i bashkohet kësaj klase, por këtë vit ajo ka nisur të mësojë shkrim e lexim.

“Po, gërmat valla se i kam mësu, se i kam harru qe sa vjet, 75 vjet. I kam mësu germat, edhe numrat i di” – ka thënë 75-vjeçarja për KALLXO.com.

Ajo ka kujtuar shkollimin të cilin e ka vijuar deri në klasën e tetë dhe nuk ka pasur mundësi ta vazhdojë për shkak se nuk e ka lënë i ati, ndërsa e ëma ka qenë e sëmurë.

“Po, me ardhë po, s’nalna hiç veç kur s’kam vakt a din me ndodhë diçka si sot, vij i lajmëroj. Almedina shumë e mirë, Allahu e shpërbleftë! Shumë mësuese e mirë. Po e çojna mirë, po shkruj, po e ngoj” – është përgjigjur 75-vjeçarja në lidhje me vazhdimin e saj në këtë klasë.

Se kanë nevojë të dinë më shumë për shkak të detyrave të fëmijëve të tyre e ka thënë një 44-vjeçare.

“Jemi ardhë se unë katër vite i kam shkollë fillore, unë prej ’86 kam shku, po atëherë ia nisi tani nëpër oda, nëpër shpija me u mësu, tani prindërit s’na lëshojshin se na vajza, kemi nejtë te shpia, tani ia nisëm tash pak me mësu këtu shkronja, lexim” – ka arsyetuar pjesëmarrjen e saj 44-vjeçarja.

Duke qenë kryesisht të papuna dhe amvise në shtëpi, ky angazhim është i mirëseardhur për to.

Ato thonë se nuk u mungon as përkrahja nga familja.

Kështu e ka gjetur kjo klasë edhe 27-vjeçaren, e cila në fakt di shkrim e lexim dhe me këtë rast po u ndihmon shoqeve të saj në klasë.

“Shkollimin e kam 9-vjeçaren, po du për me ditë pak ma tepër, ma shumë. Vallahin nuk është arsyeja që nuk më kanë lanë, po mundësitë nuk kanë qenë edhe deri 9 vjet edhe e kam kry” – është shprehur 27-vjeçarja.

Almedina Ajvazi, si mësuese e tyre, e ka quajtur ‘sfiduese’ këtë eksperiencë të saj. Pasi në fillim mosha e saj është ndeshur me moshën e tyre dhe për shkak të kësaj ajo ka menduar se do të hasë në një ‘rezistencë’ nga ana e tyre.

Mirëpo, ka ndodhur e kundërta. Ato e kanë pritur shumë mirë.

“Gjithmonë thonë ‘po kemi vështirësi’, ju them që këtu krejt jemi të barabarta, këtu kemi ardhë më mësu edhe nëse dikujt i duhet ma shumë kohë, atëherë është e kuptueshme” – ka ndarë pak nga momentet e saj në klasë me gratë.

Më tej, Elza Luzha-Bacaj, koordinatore e projektit në organizatën joqeveritare ‘The Ideas Partnership’, ka përmendur punën e saj dhe të kolegëve në terren, ku kanë parë shumë gra që nuk dinë shkrim e lexim dhe tashmë kanë një numër të konsiderueshëm të grave që përfitojnë nga Klasa e Prindërimit.

“Çdo javë realizohet planprogrami i parashikuar dhe në këtë mënyrë shpërndahen edhe dokumentet apo librat që nevojiten për javën që do të mbahet aktiviteti. Ne si organizatë mundohemi që grave t’u japim librat, fletoret, të gjitha elementet, materialet shkollore që i nevojiten për një orë mësimore në qendrën tonë’’ – ka përfunduar Luzha-Bacaj për KALLXO.com.

Përveç përfitimit të edukimit, një motiv shtesë për këto gra është se përfitojnë edhe shërbime të tjera shëndetësore nga kjo organizatë, përfshirë këtu edhe pako higjinike në muaj për nevojat e tyre.

Klasa e Prindërimit implementohet nga OJQ “The Ideas Partnership”, ndërsa mbështetet nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Europian.

‘The Ideas Partnership’ është themeluar në vitin 2009 dhe mision ka fuqizimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në arsim dhe shëndetësi.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.