Trajnime e shkëmbime përvojash për gratë nga zonat rurale - sfida e bashkëpunime pas pandemisë
Sfidat e grave nga zonat rurale janë të shumta, përfshirë aktivitetet e tyre në sektorin e bujqësisë. Periudha e pandemisë ndikoi në çdo sferë të jetës në Kosovë, përfshi këtu edhe fushën e bujqësisë. Rrjeti i Organizatave për Zhvillim Rural në Kosovë, organizoi trajnime e shkëmbime përvojash për gratë në fushën e bujqësisë në komunën e Rahovecit.
Prek Memaj, koordinoator i projektit nga organizata NORDK në takimin me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë në Rahovec, prezantoi gjetjet e projektit “Gratë rurale dhe fuqizimi i tyre socio-ekonomik në periudhën pas pandemisë”. Ai tha se gratë që janë pjesë e bujqësisë kanë nevojë të shkëmbejnë përvojat e tyre edhe me shtetet tjera.
“Prej workshopeve, trajnimeve, fokus grupeve e shkëmbimeve të përvojave ka qenë një lloj kontakti që e kemi kriju mes akterëve që kanë qenë pjesëmarrës ku kanë shkëmby ide e përvoja me njëra tjetrën për ide, për sfidat si dhe për mundësitë e bashkëpunimit”- tha Memaj.
Ky projekt arriti edhe një sukses tjetër të jashtëzakonshëm. Gratë pjesëmarrëse përveç trajnimeve të ndjekura tanimë edhe kanë filluar bashkëpunimet mes tyre edhe jashtë projektit.
“Gjetjet e projektit kanë dal nga diskutimet me gratë pjesëmarrëse, është gjetur që kemi një krizë të fuqisë punëtore, është gjetur që gratë kanë nevojë për shkëmbime jashtë vendit dhe të krijojnë kontakte me shoqata tjera jashtë vendit, por edhe për bashkëpunime. Qasja në subvencione dhe grante ka qenë pjesë e diskutimeve pasi që gratë e kanë pas sfidë marrjen e informacionit për grante dhe subvencione sepse ka pas një strukturë jo të mirë të informimit”- shtoi Memaj.
Këto gjetje do i marrin edhe institucionet në mënyrë që të shihen mundësitë e ndryshimeve pozitive të politikave bujqësore.
Nesim Morina, shef i divizionit të Vreshtarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, tha se takimi i së martës pati rëndësi të veçantë, kjo për shkak të informacioneve që u morën për pozitën e gruas rurale pas pandemisë.
“Ishte një takim i frytshëm për sfidat që po përcjellin bujqësinë e sidomos sfidat e grave. Zhvillimi i politikave bujqësore është i tillë që gruas i jep rëndësi të veçantë edhe gjatë aplikimeve për grante grave u është dhënë përparësi. Gjetjet e rrjetit të organizatave për ne janë shumë të rëndësishme sepse do të mundohemi t’i interpretojmë dhe t’i dërgojmë tek Departamenti i Zhvillimit të Politikave Bujqësore në mënyrë që veprimet tona të i eliminojnë apo amortizojnë sfidat që po i kalojnë gratë”- deklaroi Morina.
Ky projekt parasheh edhe gjetjen e një zgjidhjeje për problemet që u identifikuan.
“Në fund të projektit do përmbledhim një pjesë të politikave për të ecur përpara apo për të eliminuar sfidat. Ideja është që përmes rrjetit tonë të bëjmë një platformë apo website ku mund t’i përmbledhim të gjitha thirrjet në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar”- tha Memaj.
Rrjeti i Organizatave për Zhvillim Rural të Kosovës është platformë nacionale me 33 organizata të ndryshme, numër që varion nga aktivitetet e organizatave.
Kjo platformë e përfaqëson Kosovën edhe në nivel evropian, si anëtar i të gjitha platformave për zhvillim rural në nivel rajonal dhe evropian.
Afrim Sharku, kryetar i Rrjetit të Organizatave për Zhvillim Rural të Kosovës, tha se ky rrjet i organizatave funksionon nga viti 2013 duke avokuar për çështjet socio-ekonomike në zonat rurale të Kosovës.
Ky rrjet çdo dy vjet e thërret parlamentin rural në nivel vendi që marrin pjesë edhe institucionet e ku del një dokument, “Manifesto” që është përmbledhje e gjetjeve dhe nevojave ku si dokument shkon edhe tek institucionet evropiane.
“Gjatë krijimit të politikave bujqësore ne kemi gjithmonë një anëtar tek grupet punuese që avokojnë çështjet me të cilat ballafaqohet komuniteti rural”- deklaroi Sharku.
Tutje ai shton se numri i grave të interesuara për t`u marr me bujqësi po rritet.
“Gruaja dhe të rinjtë janë fokus i veçantë i yni. Pa këto dy kategori nuk ka zhvillim rural, prandaj edhe kemi pas projekte të veçanta. Kemi brenda nesh edhe shoqata të grave dhe të të rinjve. Roli i gruas po rritet, posaçërisht me trendin që rinia po e lëshon Kosovën. Mungesa e të rinjve e rrit rëndësinë e gruas në zhvillim socio-ekonomik dhe në jetën e përditshme në pjesën rurale”- tha Sharku.
Projekti “Gratë rurale dhe fuqizimi i tyre socio-ekonomik në periudhën pas pandemisë” u zhvillua në të gjitha rajonet e Kosovës e me theks të veçantë në Suharekë e Rahovec.
Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.