Prezantimi i raportit të RrGK mbi analizën gjinore të digjitalizimit në Kosovë

Analiza e RRGK-së mbi përdorimin e digjitalizimit nga burrat dhe gratë në Kosovë

Përdorimi i digjitalizimit në qeverisje, shërbime publike, arsim, shëndetësi, biznese nga burrat dhe gratë në Kosovë, është analizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK).

RRGK përmes një raporti të cilin e ka prezantuar të hënën – 12.02.2024 – Analiza gjinore e digjitalizimit në Kosovë, ka identifikuar ngecjet, përparësitë e digjitalizimit në Kosovë për nga këndvështrimi gjinor.

Sipas këtij raporti, RRGK ka vërejtur se paragjykimet gjinore vazhdojnë të jenë të pranishme, ani pse ka disa përparësi.

Hulumtimet e RRGK sugjerojnë se gratë janë në rrezik më të madh të ngacmimit kibernetik, ngacmimit seksual dhe dhunës me bazë gjinore përmes internetit.

Gratë dhe burrat në përgjithësi kanë qasje në pajisje digjitale, mirëpo qytetarët romë, ashkali dhe egjiptas po ashtu kategoritë më të varfëra, kanë qasje më të kufizuar për shkak të vështirësive ekonomike dhe përballjes me teknologji të reja.

Në raport thuhet se burrat përdorin pajisjet digjitale më shumë për të bërë biznes dhe për rrjetëzim.

Asnjëra palë nuk përdorë konsiderueshëm shërbimet publike online, madje gratë edhe më pak për shkak të normave gjinore, sipas të cilave burrat priren të regjistrohen në institucione si kryefamiljar.

Gjithashtu, gratë dhe burrat kanë mungesë të aftësive për t’i lexuar dhe njohur informacionet elektronike.

Pjesë e prezantimit të këtij raporti ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ambasadori Szunyog ka përmendur faktin se barazia gjinore është një parim integral i Bashkimit Evropian dhe se BE ka disa vite që punon në zhvillimin e barazisë gjinore.

Sipas tij, Kosova është duke e ndërmarr një transformim digjital të rëndësishëm dhe BE është e lumtur të jetë përkrahëse aktive.

“Qeveria duhet të konsiderojë dallimin potencial në qasje, mbrojtje dhe ndikim që digjitalizimi mund të ketë në gra, burra dhe të përshtatë politika duke i llogaritur këto dallime. Ne nuk duam që transformimi digjital të lë mbrapa gratë, të moshuarit apo anëtarë të grupeve të caktuara, në këtë rast, investimet janë të nevojshme në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”- është shprehur Szunyog.

Se ky raport i RRGK do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në trazicionin e saj digjital, kështu ka konsideruar edhe Ariana Qosja- Mustafa, kryetare e Bordit të RRGK.

“Ne jemi krenarë që po kontribuojmë në njohuri globale edhe është një lëvizje që RRGK e merr iniciativën, po pastaj hapet edhe në sfonde tjera. Më e rëndësishmja hulumtimi vjen në një moment i cili është vendimtar edhe për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në trazicionin e saj digjital”- ka thënë Qosja-Mustafa.

Valmira Rashiti, bashkautore e raportit dhe zyrtare për integrim gjinor në RRGK e ka vlerësuar ndërlidhjen e gjinisë dhe digjitalizimit si diçka shumë të re.

Sipas Rashitit, në hulumtimet e tyre kanë gjetur se politikat publike mbi digjitalizimin nuk kanë perspektivë gjinore.

“Kemi gjetur që politikat publike mbi digjitalizimin nuk kanë perspektivë gjinore, hartohen nga ai këndvështrimi neutral, nga aspekti që reformat digjitale i prekin krejt njësoj. Kemi vërejt që këto politika publike nuk kanë analizë gjinore”- ka thënë Rashiti.

Rashiti ka theksuar shërbimet në të cilat gratë kanë qasje më të limituar.

“E kemi dit që koha e grave në raport me të burrave për me qenë në hap me transformimin digjital është ma e paktë. Ato kanë qasje më të limituar në financa apo përvetësim të teknologjive të reja, kanë pushtet politik më pak edhe qasje në vendimmarrje, nuk kanë mbrojtje adekuate nga korniza ligjore”- ka deklaruar Rashiti.

RRGK ka analizuar 10 sektorë që bëjnë pjesë në institucionet e Kosovës, të cilat janë të shënuara në vazhdim.

Zyra e Kryeministrit udhëheq përpjekje për digjitalizim, mirëpo sipas Rashitit, nga bisedat me ZKM-në kanë vërejtur se përpjekjet për reforma në lidhje me digjitalizimin kanë qenë të centralizuara dhe shpesh kanë qenë pre e vonesave për shkak të këtij centralizimi.

“92% e ministrive të linjës dhe institucioneve qeverisëse kanë pasë të punësuar burra në departamentet e IT-së”- ka bërë të ditur ajo.

Agjencia për barazi gjinore nuk janë konsultuar përgjatë procesit të politikëbërjes, ndërkaq Agjencia e Statistikave të Kosovës ka pasë mungesë të kapaciteteve të stafit në menaxhimin e të dhënave, vonesa në publikimin e të dhënave edhe në koordinim ndërinstitucional.

Kurse, Agjencia e Informacionit dhe Privatësisë ka filluar që të kryejë inspektime në teren qysh nga viti 2021, atëherë kur janë intervistuar për herë të parë nga RRGK.

“Ata kanë theksuar që burimet e tyre të pamjaftueshme njerëzore e bëjnë të vështirë identifikimin dhe trajtimin e kërcënimeve të privatësisë, përfshirë kërcënimet në bazë gjinore”- ka shtuar Rashiti.

Në anën tjetër, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka nxjerrë një e-platformë, e cila sipas analizës së RRGK-së, ka rezultuar që është neutrale ndaj gjinisë.

Më tej, RRGK, ka paraqitur disa të dhëna nga ASHI të cilat tregojnë se sa janë duke u përdorur shërbimet e platformës e-Kosova nga burrat dhe gratë.

Shërbimi i tatimit në pronë përdoret rreth 29.7% nga burrat, ndërsa 10.9% nga gratë.

Shërbimi i regjistrimit të automjeteve: 15.3% nga burrat dhe 5.1% nga gratë.

Shërbimet e sigurisë si Policia, gjobat, e kaluara kriminale përdoren 24.9% nga burrat, ndërsa 2.3% nga gratë.

Shërbimi i pronës përdoret nga 7.1% burra dhe 0.6% gra.

Shërbimet për kontributet pensionale përdoren nga 13.5% burra dhe 9.0% gra. Dhe shërbimet nga gjyqësori përdoren 5.4% nga burrat, ndërsa 3.4% nga gratë.

Në fushën e sigurisë kibernetike, ekzistojnë të dhëna minimale në lidhje me mirëqenien digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë kibernetike.

Mes përkufizimeve të paqarta ligjore, institucioneve u mungon njohuria dhe përvoja për trajtimin e rasteve të tilla dhe viktimave u mungon besimi në institucione.

Raportin e plotë të RRGK mbi analizën gjinore të digjitalizimit në Kosovë mund ta gjeni KËTU.