Ilie Bolojan, kryeministri i rrëzuar rumun - Foto: Ilie Bolojan/Facebook
Rrëzohet Qeveria rumune
Deputetët rumunë kanë rrëzuar të martën (05.05.2026) Qeverinë pro-BE të kryeministrit Ilie Bolojan në votimin e mosbesimit, duke vënë në rrezik vlerësimet e borxhit sovran të vendit, qasjen në fondet e BE-së dhe stabilitetin e monedhës rumune, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Bolojan ka udhëhequr Qeverinë e pakicës që nga fundprilli kur Socialdemokratët – partia më e madhe në Parlament – kërkuan dorëheqjen e tij dhe më pas dolën nga koalicioni katërpartiak dhe u bashkuan me opozitën e ekstremit të djathtë për të shtruar kërkesën për votim mosbesimi.
Mocioni i mosbesimit i së martës mori përkrahjen e 281 deputetëve (nga 233 të nevojshme për aprovim), tregoi numërimi zyrtar parlamentar.
Edhe pse zgjedhjet e parakohshme duken të pamundshme, tregjet financiare janë të shqetësuara se turbulencat mund të nënkuptojnë se Bukureshti të mëdyshet në angazhimin për uljen e deficitit më të madh buxhetor në Bashkimin Europian. Monedha rumune, lei, shënoi rënie në nivel rekord të ulët kundrejt euros përpara votimit të së martës.
Koalicioni aktual mori pushtetin 10 muaj më parë me qëllim që të frenonte fitimet e së djathtës ekstreme pas një serie zgjedhjesh polarizuese, dhe kishte filluar të zvogëlonte deficitin, duke shmangur me zor një ulje të vlerësimit nga vlerësimi i fundit i shkallës së investimit.
Por socialdemokratët – pa të cilët nuk mund të arrihet shumica pro-BE – janë përplasur vazhdimisht me Bolojanin, pasi masat e tij të kursimit kanë goditur votuesit dhe rrjetet e tyre të patronazhit, ndërsa mbështetja e tyre popullore është zbehur në favor të së djathtës ekstreme.
Megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se Bolojan është politikani më popullor në koalicionin qeverisës.
“A keni ndonjë plan?”
“A mund të thotë dikush si do të funksionojë Rumania nga nesër, a keni një plan?” – pyeti Bolojan deputetët para votimit. “Rumunët do ta kuptojnë se mund të qeverisin ndryshe, me respekt për paranë publike, dhe nuk mund ta zhbëjnë këtë”.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Rumanisë nuk priten deri në vitin 2028. Ajo nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje të parakohshme dhe analistët thonë se mundësia e tyre tani është e vogël, pasi Aleanca e djathtë e opozitës për Bashkimin e Rumunëve (AUR) kryeson në sondazhe.
Presidenti centrist, Nicusor Dan, i cili nominon kryeministrin, tani pritet t’i ftojë partitë për negociata dhe të përpiqet të rindërtojë koalicionin pro-BE me katër parti me një anëtar tjetër të Liberalëve të Bolojanit, ose ndoshta një teknokrat si kryeministër.
Socialdemokratët (PSD) shpesh kanë thënë se do të ribashkohen në një koalicion pro-BE me një kryeministër tjetër.
Partia e Bolojanit deri më tani ka përjashtuar bashkëpunimin përsëri me socialdemokratët, megjithëse disa anëtarë të lartë të partisë kanë nxitur pajtimin.
“Ka jetë pas votës së mosbesimit” – u ka deklaruar gazetarëve kreu i PSD-së, Sorin Grindeanu. “Ne duam ta mbajmë këtë koalicion”.
Eurodeputeti liberal rumun, Siegfried Muresan, e ka quajtur “anti-europiane” aleancën midis të majtëve dhe AUR-it në mbështetje të mocionit të mosbesimit.
“Formimi i një qeverie të re do të jetë përgjegjësi e tyre” – i ka thënë ai Reutersit.
Megjithatë, zëvendëskryeministri liberal, Catalin Predoiu, ka thënë se partia e tij “duhet t’i lërë opsionet e saj të hapura”.
Bolojani do të mbetet kryeministër i përkohshëm me kompetenca të kufizuara derisa Qeveria e re të aprovohet nga Parlamenti.
Rumania duhet të vazhdojë të zvogëlojë deficitin, si dhe të zbatojë reforma që t’i shfrytëzojë rreth 10 miliardë euro fonde të BE-së për rimëkëmbje dhe qëndrueshmëri para fundgushtit. Deficiti pritet të ulet në 6.2% të prodhimit ekonomik sivjet nga më shumë se 9% më 2024.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com