Foto: Ilustrim

AUV ndalon importin e kafshëve dhe produkteve të tyre me origjinë nga një rajon i Rumanisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka bërë të ditur se në një fermë familjare në rajonin Maramureș në Rumani, është konfirmuar prania e sëmundjes së tërbimit (rabies) te kafshët shtëpiake.

Kësisoji, AUV ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri. AUV mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar” – thuhet në komunikatën e AUV-it, më 10.02.2026.

Njoftimi për praninë e kësaj sëmundjeje, sipas AUV-it, ka ardhur bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 09.02.2026.

Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) është organizata ndërqeveritare përgjegjëse për përmirësimin e shëndetit të kafshëve në mbarë botën dhe luftimin e sëmundjeve të kafshëve në nivel global.

Ajo njihet si një organizatë referencë nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe ka gjithsej 183 shtete anëtare. Objektivi kryesor i organizatës është të kontrollojë sëmundjet epizootike dhe në këtë mënyrë të parandalojë përhapjen e tyre.