Presidentja moldave, Maia Sandu, duke votuar në zgjedhjet e 28 shtatorit 2025. Foto: Facebooku i saj
Presidentja e Moldavisë do të votonte për bashkim me Rumaninë
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka thënë se do të votonte në favor të bashkimit me Rumaninë, anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, nëse do të mbahej një referendum për ta ndihmuar mbrojtjen e demokracisë së brishtë moldave kundër presionit rus, ka raportuar Reuters.
Sandu, partia qeverisëse pro-BE e cila ka fituar mandat të ri në shtator, e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për ndërhyrje në Moldavi, ish-republikë sovjetike me rreth 2.4 milionë banorë me shumicë rumanishtfolëse dhe pakicë rusishtfolëse.
“Nëse do të kishim një referendum, do të votoja për bashkimin me Rumaninë”, ka deklaruar ajo në një intervistë për podkastin britanik, “The Rest is Politics”, të transmetuar të dielën.
“Shikoni se çfarë po ndodh në botë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, si vend sovran dhe sigurisht t’i rezistojë Rusisë”.
Rreth 1.5 milionë moldavë kanë shtetësi rumune, por sondazhet e fundit kanë treguar se vetëm rreth një e treta mbështesin ribashkimin me Bukureshtin.
Sandu ka thënë se e pranon se shumica e moldavëve nuk e mbështesin qëndrimin e saj, duke shtuar se integrimi në BE janë “objektiv më realist”.
Qeveria e saj ka synim anëtarësimin në BE deri më 2030, por do të duhet të zbatojë reforma të vështira përballë kundërshtimit nga Rusia. Socialistët pro-rusë të Moldavisë ishin në pushtet vetëm më 2020.
Moldavia, e cila kufizohet gjithashtu me Ukrainën, ishte pjesë e Rumanisë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, por u aneksua nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo fitoi pavarësinë në vitin 1991, ndërsa Bashkimi Sovjetik u shemb.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com