Rreziku nga dezinformatat e Kinës dhe Rusisë
Kosova rrezikohet seriozisht nga dezinformatat dhe narrativa me bazë në Rusi dhe Kinë, ndërkohë shteti i Kosovës nuk ka një strategji të komunikimit që do t’u përgjigjej dhe t’u kundërvihej dezinformatave kineze e ruse.
Që kur ka nisur lufta në Ukrainë, më 24.02.2022, dezinformata më bazë në Rusi kanë qarkulluar në vendin tonë.
Të njëjtat, sipas studiuesve të kësaj fushe, kanë për qëllim denigrimin e shtetësisë së Kosovës e ngjalljen e frikës te serbët lokalë që jetojnë në vend.
Shoqëria civile konsideron që në disa raste dezinformatat nga Kina dhe Rusia janë rrezik edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Rreziku është i pranishëm nga dezinformatat ruse dhe kineze. Këtë e kemi vërejtur që prej fillimit të luftës në Ukrainë dhe përhapja e tyre është shumë e madhe në hapësirën dixhitale. Kjo, sipas vlerësimeve tona, është një kërcënim i madh për demokracinë, jo vetëm në Kosovë, në rastin tonë është edhe kërcënim për siguri” – thotë Albana Rexha nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”.
“Këto dezinformata, që vijnë nga Rusia dhe Kina, kanë për qëllim me përhapë mendime të kundërta me atë që ne kemi në lidhje me Perëndimin, pra synojnë me kriju një opinion kundër SHBA-së, që integrimi në BE nuk është i mirë për Kosovën, e të ngjashme” – vlerëson Rexha.
Për disa vite me radhë, organizata tjetër joqeveritare “KIPRED” ka analizuar narrativat që vijnë nga Rusia.
Sipas Lulzim Pecit, narrativat nga Rusia ndahen në disa grupe.
“Narrativa ruse së pari si element të parë e ka ta denigrojë shtetësinë e Kosovës, e dyta është që ta vërë në pikëpyetje legalitetin e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë dhe ta diskreditojë Perëndimin” – vlerëson Peci.
“Narrativa e tretë ka të bëjë me komunitetin serb në Kosovë, që ta paraqesë si një komunitetet të shtypur, i cili përjeton dhunë nga shqiptarët por edhe nga Qeveria e Kosovës dhe narrativa e katërt është ajo për Kishën ortodokse serbe” – thotë Lulzim Peci nga “KIPRED”.
Por, studiuesit e fushës kanë vërejtur se në Kosovë ka narrativa dhe dezinformata edhe nga Kina.
Visar Prebreza nga “Krypometer” thotë se narrativa kineze vjen tek opinioni në Kosovë në gjuhën shqipe.
“Janë disa narrativa që i shtyn Kina në të cilat ka elemente edhe të lajmeve të rreme. Këtë narrativë ata synojnë ta shtyjnë përmes një medie që e kanë në gjuhën shqipe e cila e ka bazën në Shqipëri, por publikimi i lajmeve bëhet në gjuhën e pastër shqipe” – deklaron Prebreza.
“Nëse e analizojmë çfarë shpërndan kjo medie e kontrolluar nga Kina, atëherë vërejmë që ata synojnë me promovu shumë ekonominë e tyre, duke përfshirë rrjetin 5G. Narrativa tjetër është për rajone të caktuara të Kinës, për zhvillim të ekonomisë atje. Por çfarë ka rëndësi kjo për opinionin kosovar?” – vlerëson ai.
Sipas Visar Prebrezës, një tjetër narrativë kineze është mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat prezantohen në lajme në aspekt negativ.
Disa media në vend, prej kur nisi lufta në Ukrainë, kanë rritur kapacitetet për t’u përballur me dezinformatat nga Rusia.
Muhamet Hajrullahu nga portali “Telegrafi” thotë se luftimi i dezinformatave është bërë më i vështirë në vitet e fundit.
“Në këto dy-tre vitet e fundit janë shpeshtuar lajmet e rreme, kanalet për me publiku sot informacionin e rremë është i madh. Shpeshherë edhe një gazetar profesional dhe me përvojë bie pre e lajmeve të rreme, që vijnë në kohë reale. Ne kemi marrë disa hapa, kemi thënë kryesisht me citu lajme ndërkombëtarë nga media kredibile, si BBC e të tjera” – deklaron Hajrullahu.
Mënyra më e mirë për t’i luftuar dezinformatat ruse dhe kineze është që për ngjarjet për të cilat raportohet gazetarët dhe redaktorët të kujdesën që lajmeve të u jipet kontekst.
“Gazetari është i obliguar që nëse Kremlini gënjen në një komunikatë gazetari me shkru në prapavijë të lajmit secilin fakt. Pra, secili konstatim i rremë, ne në tekst duhet t’i shtojmë prapavijën për ta kuptuar saktë ngjarjen për të cilën raportohet, gazetari e ka obligim me raportu të vërtetën jo narrativën e një shteti” – vlerëson Visar Prebreza nga “Krypometër”.
Në anën tjetër, sipas Lulzim Pecit, shteti duhet të krijojë një strategji të komunikimit për t’i luftuar narrativat nga Kremlini dhe nga Kina.
“Mbrojtja prej narrativave të tilla është mjaft e vështirë. Unë e shoh një problem tjetër, Kosova nuk ka një strategji të komunikimit për narrativat ruse, me u paraprijë dhe me iu kundërpërgjigjë. Ne nuk kemi as desk për Rusinë në Ministrinë e Jashtme. Kjo është problematike” – thotë ai.
Deri më tani, në Kosovë u është ndaluar transmetimi dy mediave nga Rusia.
“Komisioni Pavarur për Media e ka parë shqetësuese narrativën të cilën e kanë dhënë dy televizione ruse, ‘Sputnik’ dhe ‘Russia Today’ të cilat kanë qenë duke u transmetuar në Kosovë. Ne kemi ndaluar këto dy televizione së transmetuari në Kosovë dhe ky vendim ka qenë njëjtë sikur shumë vende në Bashkimin Europian” – ka thënë Jeton Mehmeti, kryetar i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave në Kosovë (KPM).