Rizvanolli, kërkon të votohet vendimi i Qeverisë për 'Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë'

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.

Sipas ministres Qeveria autorizohet përmes ligjit për energjinë neni 25 që të shpall masat e emergjencës në furnizim me energji.

“Një shpallje e tillë nuk do të thotë se merren masa kufizuese menjëherë, mirëpo një vendim i tillë i mundëson qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve në furnizim me konsumator ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë”, tha ajo.

Rizvanolli shtoi propozim vendimi i propozuar parasheh që këto masa të vendosen për një periudhë kohore deri në 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Megjithatë sipas saj Kuvendi mund ta vazhdoj këtë afat për periudha të një pas njëshme prej 30 ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë.

“Ky vendim parasheh themelimin e komitetit teknik emergjent i cili udhëhiqet nga ministria e ekonomisë që në përbërje i ka akterët kryesor të sektorit e më gjerë dhe do të ketë edhe ekspertë të ndryshëm”, tha Rizvanolli.

Sipas ministres Rizvanolli, vendosja e masave emergjente dhe aprovimi i këtij vendimi nuk do të thotë që masat vendosen menjëherë por kjo sipas saj, ja jep të drejtën qeverisë që në bazë të rekomandimeve të komitetit emergjent të marr masa sipas nevojës.

Rizvanolli shtoi se vështirësitë me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit Kosova A dhe Kosova B ku sipas saj ka pasur edhe rritje të theksuar të konsumit të energjisë eklektike.

Ndryshe gjatë muajit dhjetor, në Kosovë ka pasur krizë energjetike. Qeveria e Kosovës gjatë këtij muaji ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend.

KALLXO.com, ka raportuar në vazhdimësi lidhur me krizën energjetike në vend.