Qeveria merr vendim për themelimin e "Korporatës për ruajtjen e energjisë"

Qeveria e Kosovës ka vendosur për të themeluar Ndërmarrjen Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë” Shoqëri Aksionare, sot më 13.03.2024.

I gjithë kabineti qeveritar votoi pro këtij vendimi, i cili sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë së energjisë 2021-2031, përkatësisht në lehtësimin e integrimit të burimeve të ripërtritshme në vend.

“Investimi në ruajtje të energjisë do të ndihmojë në përmirësimin e fleksibilitetit të sistemit energjetik dhe do të jetë i nevojshëm për të përmbushur kërkesat për rezervë të energjisë dhe në një masë do të ndihmojë edhe në uljen e importit të energjisë elektrike” – tha Rizvanolli.

Kjo ndërmarrje, siç tha ministrja do të jetë e dyta pas Sllovenisë në rajon, dhe kompania më e madhe në rajon e kësaj natyre, e cila pritet të zgjerojë veprimtarinë e saj në të ardhmen në bazë të nevojave të tregut, për rezervat e energjisë.

“Ministria e Ekonomisë ne modelin e biznesit ndër të tjera ka paraparë misionin, veprimtarinë dhe asetet, analizën e tregut dhe analizën operacionale, planin financiar dhe skemën organizative të ndërmarrjes. Ky model i biznesit parasheh që ndërmarrja do të jetë e vetëqëndrueshme që nga viti i parë pas vënies në punë të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri, duke marrë parasysh nevojën e madhe të vendit tonë dhe të rajonit për këtë lloj shërbimi. KRE ka natyrë shumë funksionale të ofrimit të shërbimeve, duke filluar nga arbitrazhi i energjisë deri te shërbimet e ndryshme ndihmëse për balancim të sistemit energjetik” – shtoi ajo.

Kryeministri Kurti tha se kjo ndërmarrje vjen në zbatim të Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

“Programi kompakt parasheh krijimin e një entiteti që do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë 125 megavatë të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë në bateri. Ky entitet është vendosur të jetë një ndërmarrje publike e cila themelohet si shoqëri aksionare sipas ligjeve të Kosovës dhe financohet nga programi kompakt në 5 vitet e para të themelimit të saj” – tha ai.

Ky propozim, siç tha Kurti është shqyrtuar nga komisioni i ministrave dhe i ka rekomanduar qeverisë themelimin e kësaj ndërmarrjeje, me aksionar të vetëm Qeverinë e Kosovës.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli tha para gazetarëve se do të fillojë rekrutimi i bordit të ndërmarrjes.