Rizvanolli: Kosova është shteti me çmimin e rrymës më të lirë në rajon e Europë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova është shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirë në rajon e Europë.

Ajo tha se kriza u përballua në mënyrën më të mirë të mundshme ndonëse dy vitet e fundit ishin sfiduese në këtë sektor.

“Vitet e fundit kanë qenë sfiduese në sektorin e energjisë në Kosovë e në terë Evropën, kriza u përballua në mënyrën më të mirë të mundshme. Patëm një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Shqipërinë nga i cili i ndihmuam njëri tjetrit dhe qytetarët kursen mbi 60 milionë euro. Me subvencionimin më të ulët në rajon dhe përkundër rritjes së tarifave Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon e Europë”- u shpreh ajo në Kuvend.

Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme, ajo akuzoi partitë opozitare për dështime në të kaluarën.

“Kriza na shpërfaqi të gjitha dobësitë që ishin shumë të mëdha, që nuk do të ishin kaq të mëdha po të mos ishin politikat tuaja të gabuara e dështimet e dekadave të fundit që kishin sjell rritje anormale të konsumit të energjisë elektrike në baza vjetore”- tha ajo.

Kuvendi i Kosovës sot me kërkesë të tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, po mban debat parlamentar për uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore por, sipas tyre, vlera në faturë u ka ardhur e lartë konsumatorëve për shkak se kanë shpenzuar duke u ngrohur me rrymë.