Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria shkarkon bordin e ‘Hidroregjiionit Jugor’, emëron një të ri të përkohshëm

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren dhe emërimin e një bordi të ri të përkohshëm.

Anëtarët e shkarkuar janë Fetim Fetoshi – kryesues dhe anëtarët Hysni Çanta, Mirlinda Morina, Naim Kukaj dhe Arben Hajri.

Ndërsa anëtarët e ri të bordit të përkohshëm të emëruar janë Ismet Vrapçani – kryesues; Dhurata Gutaj; Taulant Tanushaj  dhe Sibel Halkoshatri – anëtarë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se arsyeja e shkarkimit të këtyre drejtorëve, është për shkak se kanë devijuar nga caqet e përcaktuara për planin e biznesit.

“Njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike ka gjetur se në raportin vjetori 2022 dhe draft raportin 2023, kompania rajonale e ujësjellësit ‘Hidroregjioni Jugor’ në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga bordi i drejtorëve në planin e biznesit” – ka thënë Rizvanolli.

“Përveç devijimeve gjithashtu është evidentuar mos informimi dhe komunikimi i rregullt me njësinë për monitorimin e ndërmarrjeve publike.  Në përgjithësi konsiderohet se bordi i drejtorëve nuk ka arritur që të sigurojë planifikim efektiv dhe të ketë mbikëqyrje rigoroze të zbatimit të planit, për këtë arsye duke u bazuar në nenet përkatëse të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, rekomandojmë shkarkimin e bordit të drejtorëve” – ka thënë Rizvanolli.

Bordi i drejtorëve të shkarkuar ishte emëruar me datë 10 gusht 2022.