Rizvanolli: 25 mijë qytetarë aplikuan në thirrjet për pajisjet efiçente më 2023

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit  para Komisionit parlamentar për Ekonomi, tha se 25 mijë qytetarë kanë aplikuar në thirrjet për pajisjet efiçente në vitin 2023.

Ajo shtoi se një pjesë e angazhimit të ministrisë kanë qenë masat që sipas saj kanë zbutur krizën ekonomike dhe kanë ngritë efiçencën.

“25 mijë aplikime kemi pasë gjithsej në të gjitha thirrjet për pajisjet eficiente. Për herë të parë vjet bashkë me ndihmën e Bashkimit Europian kemi lansuar masën për ndërmarrjet vogla, për pajisje ngrohëse. Në përgjithësi përshtypjet e qytetarëve janë të mira sa i përket proceseve dhe ndikimit të këtyre masave. Kemi pasur dhe një numër të studimeve të fizibilitetit të cilat kanë përfunduar apo pritet të përfundojnë, një ndër studimet qe është duke vazhduar është ai për ngrohjet qendrore të 7 komunave që raporti final ende nuk ka përfunduar”- tha ajo

Rizvanolli theksoi se si ministri gjatë viteve 2023-2025 kanë bërë planifikim të investimeve mbi 1 miliardë euro apo 950 megavat.

“Projekti më i madh ka qenë tek parku në Bernicë në objekt që është në kuader të MTI-së” – tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se për të, thirrjet nuk janë investime kapitale duke pyetur se a ka pasur ndonjë investim gjatë 2023-ës.

“Nuk pashë investim konkret përveç shpalljeve, a ka ndonje investim kapital. Nuk pashë investime kapitale tek institucionet publike/ndërmarrjeve publike, përvec pjesës 5G që thatë”-  ka thënë Shala.

Ministrja në përgjigjen e saj tha se investimet kapitale nuk i bënë ministria, por bëhen nga ndërmarrjet publike apo private.

“Investimet kapitale nuk i bënë ministria por bëhen nga ndërmarrjet publike apo private. Investimet kapitale nuk vijnë nuk mund të ndodhin brenda natës, kemi pasë tentime brenda 20 viteve dhe rezultatet i dijmë. Është me rendësi që ta kemi strategjinë e qe e kemi bërë. Për secilin projekt ka faza të gjata e pjesa më e madhe e tyre janë në bashkëpunim me ndërkombëtarë. Opozita ka qenë ajo që i ka zhagitë projektet duke mos votu marrëveshjet ndërkombëtare”- tha Rizvanolli.

“A kanë qenë projekte kapitale ato që po thoni i kemi zhagitë”- ka pyetur deputeti Shala.

“Ka qenë parku solar që e keni zhagitë”- është përgjigjur Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli po raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024.