Kriza energjetike, Qeveria ndan 20 milionë euro për KEK-un

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend.

Qeveria ka njoftuar se Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te KEK-u dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo ndarje e mjeteve është bërë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike ku është shtuar edhe masa 3.7 e cila përmban mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.

“Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike” te  kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, në nën programin “Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike”.

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.

Kriza energjetike ka prekur edhe Kosovën. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë para disa ditëve para deputetëve në Komisionin për Ekonomi, se 12 milionë euro të cilat kanë qenë të parapara të shpenzohen për të gjithë vitin për import të energjisë, janë shpenzuar vetëm në muajt nëntor dhe dhjetor.

Nga ana tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, pas kërkesave që janë parashtruar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

Këto të fundit kanë kërkuar shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.

Tarifat e energjisë elektrike pritet të rriten të paktën 5%.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.