Ilustrim

Rikthehet furnizimi me ujë në lagjen ‘Asllan Qeshme’ në Pejë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka njoftuar se është kthyer furnizimi me ujë të pijshëm për konsumatorët e lagjes “Asllan Qeshme” në Pejë.

Sipas njoftimit, rrebeshi i mbrëmshëm i shiut dhe breshëritë shkaktoi defekte në sistemin e ujësjellësit në këtë pjesë.

“Hidrodrini” ka njoftuar se pas 16 orë punë intensive në terren, tashmë furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer.

“Dëmtime të evidentuara dhe sanuara me intervenim në sistem furnizues brenda kësaj bashkësie, janë regjistruar në rrugët ‘Azem Bejta’, ‘Mbreti Bardhyl’ dhe ‘Tahir Coli’” – thuhet në njoftim.

Qyteti i Pejës dje në orët e mbrëmjes u godit nga reshje të mëdha të shiut të cilat shkaktuan vërshime në disa lagje.

Si pasojë e vërshimeve dy persona kanë mbetur të vdekur. Viktimat janë një fëmijë 5-vjeçar, si dhe nëna e tij.

Vërshimet kanë shkaktuar dëme edhe në rrugë, shtëpi e lokale.