Muhaxheri për vërshimet në Pejë: Ndihma na është dashur brenda gjysmë ore por s'e kemi pasur e as s’mund ta ketë dikush

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka folur rreth vërshimeve të fundit në këtë qytet.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ende nuk e di çfarë do të bëhet me familjen e cila humbi dy pjesëtarë të saj nga vërshimet e para një jave.

Muhaxheri shtoi se së pari duhet të bëhen vlerësimet e dëmeve pastaj do të vendosin si Komunë.

“Jo vetëm për atë familje por aty janë edhe 8 shtëpi të tjera që është dashur të largohen nga aty. Për momentin këto familje janë të strehuara. Vlerësimi është paraparë të zgjasë 10-15 ditë sepse janë shumë dëme, duhet me shku me protokoll, duhet të dorëzohet në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave pastaj Qeveria e kompenson. Dëmet e bëra në nëntor të vitit të kaluar janë duke u kompensuar këtë muaj” – tha kryetari i Pejës.

Ai për “Kallxo Përnime” e ka pranuar faktin që zyrtarët e Komunës u kanë thënë qytetarëve që “situata është nëm kontroll”, duke iu referuar kështu natës tragjike ku humbën jetën dy persona si pasojë e vërshimeve.

“Një pjesë e qytetarëve kanë dalë me vetura në rrugë me pa situatën, e ka rëndu punën e ekipeve shpëtuese, intervenuese zjarrëfikësve, prandaj drejtori ka kërkuar që të mos bëhet panik, nuk ka kërkuar diçka tjëtër” – ka thënë ndër tjera ai.

Ai ka shtuar se brenda 50 minutave ka ndodhur gjithçka andaj as FSK-ja nuk ka pasur çfarë të kërkojë aty vetëm sipas tij do të konstatonte gjendjen.

“Atë e kanë konstatuar edhe ekipet e  tona në kuadër të komunës. FSK-ja ka ardhë në mëngjes por ka qenë vonë, nevoja ka qenë për atë gjysmë ore me pasë ndihmë, e atë nuk e kanë as në Itali, as në Amerikë, as askund, sepse është fatkeqësi natyrore, kurrëkush s’ka mujtë me parapa që ka me ardhë ajo” – përfundoi ai.

Si pasojë e vërshimeve në komunën e Pejës para një jave, nënë e bir humbën jetën përderisa mbetën të lënduar edhe disa persona të tjerë.

Shumë shtëpi kanë mbetur të pabanuara ndërsa edhe infrastruktura rrugore është dëmtuar.