Vërshimet në Pejë. Foto: Durim Shala, KALLXO.com

Muhaxheri: Shtëpia ku vdiqën dy persona nga vërshimet në Pejë s’ka leje

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka folur rreth ndërtimeve pa leje në këtë komunë.

Në intervistën për emisionin “Kallxo Përnime”, ai ka thënë se shumica e këtyre ndërtimeve janë që nga vitet ‘60.

Ai ka folur edhe për shtëpinë në të cilën humbën jetën 2 persona para një jave si pasojë e vërshimeve, duke thënë se shtëpinë kjo familje e ka ndërtuar shumë afër kanalit dhe sipas tij ajo është pjesë që nuk mund të shihet.

“Atë shtëpi e ka ndërtuar pasi që ne e kemi ndërtuar kanalin. Dhe ajo pjesë nuk shihet kurrsesi, duhet me hy në shtëpi tij për me pa çka ka ndodhur. Nuk mundesh me i pa ato shtëpi. Inspektori s’mund të hyjë shtëpi për shtëpi me pa çka ka ndodh” – tha kryetari i Komunës së Pejës.

Lagjja “Asllan Qeshme” vazhdon të përballet me pasojat infrastrukturore të vërshimeve të 24 qershorit.

“Ne kemi vendosur që kjo lagje të ketë një kanalizim modern sepse të gjitha ujërat e zeza janë derdhur në kanalin e ujërave atmosferike, as uji këtu nuk është në rregull, qytetarët kanë kërkuar, është zgjatur që 2 vjet për shkak të procedurave të prokurimit” – ka thënë ai.

Si pasojë e vërshimeve në Pejë, nënë e bir humbën jetën përderisa mbetën të lënduar edhe disa persona të tjerë.

Shumë shtëpi kanë mbetur të pabanuara ndërsa edhe infrastruktura rrugore është dëmtuar.