Ganiqi: Po të pastroheshin kanalet e kanalizimet, vërshimet në Pejë do të shkaktonin më pak dëme

Berat Ganiqi, zyrtar i Vetëvendosjes në Pejë, duke folur për vërshimet e fundit në qytet, ka kritikuar Komunën e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Sipas tij, Komuna nuk ka bërë asgjë rreth pastrimit të kanalizimeve e kanaleve të reshjeve atmosferike.

Ganiqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se pastrimi i këtyre kanaleve është i domosdoshëm për shkak se, siç thotë ai, faktori njeri ka abuzuar me to.

“Kanë hedhur shumë mbeturina, po ashtu kanë uzurpuar edhe pjesë të kanaleve, duke i betonuar, duke ia zënë kështu frymëmarrjen këtyre kanaleve dhe këto mbeturina mblidhen përfundi këtyre kanaleve” – ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për ndërtimet pa leje në këtë komunë.

“Këto ndërtime pa leje në pronë publike që kanë ndodhur duhet t’i trajtojë Komuna. Nuk mundet Ministria e Infrastrukturës t’i rregullojë këto gjëra. Komuna duhet ta dijë kush po i ndërton ilegalisht këto objekte” – tha Ganiqi.

Po ashtu çështjen e pastrimit të kanaleve dhe kanalizimeve, Ganiqi thotë që e ka ngritur disa herë në Kuvendin Komunal të Pejës para se të ndodhnin vërshimet.

“Në fund të dhjetorit kam kërkuar që të pastrohen këto në të gjitha lagjet sepse ky kanal është edhe në lagje të tjera dhe vërshimet kanë ndodhur edhe në pjesë tjera të qytetit për shkak të këtij kanali. Kemi kërkuar heqjen e këtyre ndërtimeve pa leje” – thotë ai.

Rreth natës ku vdiqën dy persona si pasojë e vërshimeve, Ganiqi ka thënë se ka informacione që udhëheqësit e Komunës së Pejës nuk i kanë kërkuar ndihmë FSK-së dhe sipas tij drejtorët kanë thënë që situata është nën kontroll.

“Ndërsa ne i kishim dy jetë të humbura, as nuk i jepke urdhër FSK-së që të vijë t’i ndihmojë në Pejë. Ne i kemi bërë presion po atë natë që të ftohet FSK-ja, kemi kontaktuar menjëherë me ta mirëpo ministri Mehaj ka thënë se i duhet një dritë jeshile nga kryetari i Pejës” – ka përfunduar ai.

Si pasojë e vërshimeve në Pejë para një jave, nënë e bir humbën jetën përderisa mbetën të lënduar edhe disa persona të tjerë.