Rigjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Fushë-Kosovës, i pandehuri - prokurorit: Tërhiqu krejt se nuk bëhet nami

Ish-inspektorët e ndërtimit të Komunës së Fushë-Kosovës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve.

Në këtë rast të akuzuar janë Afrim Krasniqi, Valbona Ferati-Morina, Doruntina Dumani-Olluri dhe Mobera Hyseni.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e tyre.

Në këtë shqyrtim gjyqësor ishte parashikuar të vazhdohet me administrim të provave materiale, dhënien e mbrojtjes nga ana e të pandehurve dhe fjalën përfundimtare.

Lidhur me administrimin e provave, mbrojtja pati vërejtje në provat nga prokurori i shtetit.

Ndërsa lidhur me dhënien e mbrojtjes nga ana e të pandehurve, të pandehurat Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobera Hyseni u mbrojtën në heshtje, duke qëndruar pranë deklarimeve të tyre përgjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa i pandehuri Afrim Krasniqi paraqiti mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

I njëjti deklaroi që kishte qenë drejtor i Inspektoratit të Komunës së Fushë-Kosovës nga viti 2015 dhe se nuk kishte pasur njohuri lidhur me objektet e përfshira në aktakuzë.

Krasniqi deklaroi se me të marrë ankesat e qytetarëve kishte dalë në vendin e ngjarjes, duke inspektuar rreth pretendimeve të qytetarëve, përkundër mungesës së inspektorëve në komunë, që sipas tij, kishin prerë ballkonin e një ndërtese që kishte tejkaluar lejen ndërtimore.

Tutje, i pandehuri Krasniqi deklaroi se mbetet pranë deklaratave që i ka dhënë para Gjykatës, por se nuk i mbështet disa pjesë të deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori, sipas tij të keqinterpretuara.

Më pas shqyrtimi gjyqësor u shty, sepse prokurori i rastit, Zef Prendrecaj, kërkoi nga trupi gjykues më shumë kohë për përgatitjen e fjalës përfundimtare. Kjo shtyrje u miratua nga trupi gjykues i përbërë nga Gëzim Ademi – kryesues, Gazmend Bahtiri dhe Alltën Murseli – anëtarë. Seanca e radhës lidhur më këtë rast do të mbahet më 23 nëntor.

‘’Tërhjeku krejt se nuk bëhet nami, ashtu që 7 vjet jemi në këtë proces’’ – i tha i pandehuri Afrim Krasniqi prokurorit Prendrecaj në fund të seancës.

Të pandehurit ishin liruar nga akuzat në korrik të vitit 2022 ndërsa ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli më 1 nëntor 2022.

Sipas aktit akuzues të dhjetorit të vitit 2016, të pandehurit në fjalë kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë periudhës kohore 2015-2016, pasi duke qenë në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit nuk kishin përmbushur detyrat zyrtare duke i mundësuar investitorit “Princesha Construction” të vazhdojë punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Të pandehurat Valbona Ferati dhe Doruntina Dumani akuzohen se kanë hartuar procesverbale dhe vendime për rrënim dhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit por e kanë bërë në fazën e avancuar të ndërtimit.

Lidhur me këto veprime, sipas Prokurorisë ka qenë i informuar edhe drejtori i Departamentit të Inspeksionit, i cili pavarësisht kësaj nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta parandaluar ndërtimin e kundërligjshëm.

Të pandehurat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit gjatë vizitës së punishtes më 30 maj të vitit 2014 kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit sipas lejes ndërtimore, dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban të Komunës së Fushë-Kosovës.