Reuters: Me pak kundërshtime, Kosova do të aplikojë këtë javë për anëtarësim në BE

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë javë, sipas kryeministrit Albin Kurti, një proces që pritet të zgjasë me vite, nëse jo dekada, dhe që varet nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pesë shtete të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës.

“Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit dhe prandaj vendi i Republikës së Kosovës është në këtë shtëpi të përbashkët si vend që e do paqen”, ka deklaruar kryeministri Kurti gjatë një seance të qeverisë në Prishtinë.

Përpara çdo anëtarësimi të mundshëm, Kosova duhet ta arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. BE po angazhohet tashmë për një marrëveshje përmes së cilës pritet që të dyja palët do të bien dakord brenda një viti, raporton tutje Reuters.

Ndërkohë, pas tensioneve në rritje midis autoriteve të Prishtinës dhe pakicës serbe në veriun e Kosovës, këta të fundit i kanë bllokuar rrugët kryesore në shenjë proteste pas një shkëmbimi zjarri me policinë pas arrestimit të një ish-polici serb.

Sot, ndërkohë, po shënohet edhe dita e pestë e bllokimit të rrugëve në veriun e Kosovës dhe protestuesit nuk kanë shfaqur asnjë shenjë se do t’i largojnë kamionët e mbushur me zhavorr dhe makineri të tjera të rënda nga rrugët kryesore, me gjithë kërkesën e kryeministri Kurti drejtuar KFOR-it që t’i pastrojë rruget nga bllokimi.  

Deri më tani, pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 110 vende, por jo nga Serbia, Rusia apo Kina, ndër të tjera.

Me gjithë faktin se ekziston një ngurrim midis 27 vendeve anëtare të saj për zgjerim të BE-së, pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë të njëjtat shtete anëtare t’i kushtojnë më shumë energji përmirësimit të marrëdhënieve me gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. 

Kosova është i vetmi vend në rajon që deri më tani nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE, përfundon artikullin e saj Reuters./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala