Rektori që pezulloi profesorin e dyshuar për ngacmim seksual, nuk garon për mandat të ri

Rektori aktual i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi nuk është në mesin e kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin për rektor të ri të UP-së.

Sipas një liste të kandidatëve të konfirmuar nga Rektorati i UP-së për KALLXO.com, për pozitën e rektorit kanë aplikuar pesë kandidatë, një grua dhe katër burra.

Prej këtyre kandidatëve, dy janë prorektorë aktualë të UP-së dhe njëherit profesorë, një dekan, një profesor dhe një profesoreshë.

Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e rektorit të UP-së janë: Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha, But Dedaj dhe Gjyljeta Mushkolaj.

Rektori Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.

Sipas statutit të këtij universiteti, në nenin 23, paragrafi 1, pika 9, një nga detyrat e Këshillit Drejtues të UP-së është edhe zgjedhja e rektorit.

Ndërkaq, sipas nenit 26 të statutit të UP-së, në paragrafin 4 thuhet se “Emërimi i rektorit bëhet për një periudhë prej katër vitesh, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat”.

Këshilli Drejtues i UP-së përbëhet nga nëntë anëtarë, shtatë prej tyre burra dhe dy gra: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela- Turjaka (zëvendëskryesuese e Këshillit Drejtues) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu- Zaimi.

Në mandatin e Qerimit si rektor i UP-së, më 05.03.2024, u raportua në Këshill të Etikës të UP-së një rast i ngacmimit seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë ndaj një profesori të rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.

Krasniqi ishte i angazhuar si profesor i lëndës së matematikës në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.

Pasi Këshilli i Etikës i UP-së i rekomandoi pezullimin e profesorit Krasniqi derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit lidhur me denoncimin për ngacmim seksual, Qerimi e ka pezulluar nga puna profesorin Krasniqi më 23.04.2024.

Ky rast i ngacmimit seksual u përcoll me shumë reagime dhe protesta të aktivistëve, të cilët nuk ishin të kënaqur me trajtimin e tij nga Këshilli i Etikës i UP-së.

Katër burrat që e përbëjnë Këshillin e Etikës të UP-së janë: Iset Morina (kryetar i Këshillit të Etikës) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.

Dy raste tjera që u raportuan gjatë mandatit të Qerimit si rektor i UP-së janë nga tri punëtore të Stomatologjisë në UP dhe SHSKUK, të cilat u ankuan ndaj asistentit të Ortodoncisë në Fakultetin e Mjekësisë, Sokol Krasniqi.

Njëra prej këtyre punëtoreve, profesoresha dhe njëherit shefja e katedrës së Ortodoncisë, Albena Reshitaj pretendon se u kërcënua nga Sokol Krasniqi dhe asistenti në atë kohë, Blerim Mehmeti, më 18.10.2023 në Fakultetin e Mjekësisë.

Gati një muaj pas raportimit për kërcënim të pretenduar ndaj Reshitajt, Nora Aliu, asistente e Ortodoncisë e raporton në Katedrën e Ortodoncisë të njëjtin person, Sokol Krasniqin, i cili thotë se i ka penguar gjatë procesit mësimor në sallë të Klinikës së Stomatologjisë, ku ajo me asistenten Nora Berisha ishin duke mbajtur ushtrime më 06.11.2023.

Të dy këto raste kanë kaluar në Këshill të Etikës të UP-së. Në përgjigjen e tyre nga Fakulteti i Mjekësisë thonë se për ankesën e asistenteve ndaj Krasniqit, Këshilli i Etikës ka marrë vendim për pushim të procedurave të filluara ndaj Krasniqit, më 02.04.2024.