Prokuroria pranon kallëzimin penal ndaj Xhevat Krasniqit, merret vendim për fillimin e hetimeve

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka pranuar kallëzimin penal ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Xhevat Krasniqit, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual, dhe për këtë ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj çështjes në fjalë. Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xh. K.: – thuhet në përgjigjen e dhënë për KALLXO nga Prokuroria e Prishtinës.

Kjo prokurori ka njoftuar se rasti është duke u trajtuar në pajtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakuletit të Mjekësisë për ngacmim.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e kishte pezulluar nga puna profesorin Krasniqi.

Pezullimin nga puna të profesorit Krasniqi rektori e kishte bërë pas rekomandimit të Këshillit të Etikës të UP-së.

Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhej se Këshilli i Etikës e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria kishte autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 kishte konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – kishte thënë Kryeprokurori Gashi.

Ky vendim i KE ndaj Krasniqit kishte ardhur pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.

Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, ishin mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast e kishin ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kishin bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Krasniqi.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, ishin shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.

Ky aksion ishte vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkonin me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.

Në mbledhjen e KE-së të datës 22.04.2024, Krasniqi kishte dëshmuar para anëtarëve të KE, mirëpo ndaj tij nuk ishte marrë ndonjë vendim.

Kjo revoltoi aktivistët që më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës kishte larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Xhevat Krasniqi pasi kishte përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.

Për një studente, Krasniqi tha se në protestë është shpreh që “m’ka ngacmu” mirëpo sipas tij “nënshkrimin s’e ka fare në ankesë”.

Rreth shprehjes e cila është deklaruar nga 27 studentet e Mjekësisë se Krasniqi i ka pyetur se “çka ki nën fustan?”, ai ka thanë se i pyet pasi dyshon se kopjojnë.

“M’pyesin – Ai ke thanë ti studentes çka ki nën fustan?, kurrë s’e kam thanë. Ka ndodhë – çka ki aty, e qet telefonin, t’u kopju. Krejt këmbët i shkruajnë me formula të matematikës, edhe duart” – kishte thënë Krasniqi.

Krasniqi kishte përmendur rreth gjashtë profesorë të Matematikës që kanë ligjëruar më herët në Mjekësi. Këshilli i Etikës e ka pyetur se cilët janë arsyet e largimit të këtyre profesorëve, sipas tij.

“Në mesin e tyre një profesor që ka qenë goxha gjatë aty, vjen në një pozitë që studentët i pytë me detyra të klasës pestë. Kot është sepse ata dojnë m’i vendos notat veç qysh dojnë ata” – kishte deklaruar Krasniqi.

Këshilli i Etikës e kishte pyetur se a mund të konstatohet pretendimi i tij se kjo është një fushatë për largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.

Këshilli i Etikës kishte vazhduar ta pyesë se a ka pasur studentë tjerë prezentë kur pretendohet se është thënë fjala “masazh” ndaj nji studentje nga ana e tij.“Po çfarë masazhe po flitet aty, po na e kem detyrë zyrtare. Në asnjë mënyrë, aty thotë, njihere jena kanë vetëm, tani dalim dy-tre dëshmitarë. Në asnjë mënyrë s’ka ndodhë ajo hiç” – kishte thënë Krasniqi.

Më tej, nga Këshilli i Etikës thanë se kanë parë disa vlerësime të performancës së tij si profesor që u ka sjellur Fakulteti i Edukimit dhe se për Degën e Farmacisë në Mjekësi, nga ku është raportuar për ngacmim, ai u kishte premtuar se do t’i sjellte raportet e vlerësimit të studentëve.

Krasniqi kishte thënë se nuk e ka dëgjuar se do t’i sillte raportet e vlerësimit të studentëve të Farmacisë.

Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit mund ta lexoni KËTU.