Reagim publik pas dënimit të kërcënuesit të gazetares së Kallxo.com

Kallxo me shqetësim të thellë ka parë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin njëri nga personat e akuzuar për kërcënimin e gazetares së Kallxo.com, Arjana Berisha, është dënuar me vetëm 1 mijë euro gjobë.

Kallxo konsideron se procesi gjyqësor ishte i parregullt dhe se e pamundësoi zhvillimin e një procedure gjyqësore e cila do të argumentonte rrethanat rënduese dhe do të ndërtonte standardin e ndëshkueshmërisë për kërcënuesit e gazetarëve.

Kallxo vlerëson se dënime të tilla të ulëta motivojnë kërcënuesit dhe sulmuesit e gazetarëve, si dhe dëmtojnë rëndë ambientin e punës për gazetarët profesionist e inkurajojnë kërcënuesit tjerë të shtojnë dhunën ndaj gazetarëve.

Kallxo e konsideron procesin si të parregullt qysh në nisjen e tij.

Gjyqtari i rastit Bujar Ahmeti ka vendosur që për një vepër të tillë të obligojë gazetarët që t’i mbulojnë identitetin kryesit të veprës. Një standard i tillë, i ndërtuar gjatë këtij procesi, shkon në kundërshtim me të gjitha standardet e transparencës dhe nevojës së publikut për t`u njoftuar për ndëshkimin e njerëzve që kërcënojnë gazetarët.

I njëjti gjykatës gjatë procedurës penale ka vepruar në kundërshtim me procedurën kur ka vendosur të marrë si pranim të fajësisë deklaratën e të pandehurit në të cilën ai pranonte fajësinë për sharje e cila trajtohet sipas ligjit civil dhe në asnjë moment nuk përmendet elementi i kanosjes. 

Duke e konsideruar si të parregullt procesin e pranimit të fajësisë së personit të akuzuar Kallxo tashmë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjykatësit të rastit, ngase vlerësojmë se dënimi me një gjobë kaq të ulët për një kërcënues të gazetarëve është jo-serioz dhe dëmton rëndë ambientin e sigurinë e gazetarëve.

Për më tepër, dënimi i shqiptuar prej vetëm 1,000 euro për një vepër për të cilën parashihet dënim deri në 6 muaj burg, përbën më shumë inkurajim për kryerësin se sa dënim për të.

Gjyqtari Bujar Ahmeti përmes këtij dënimi të shqiptuar dëshmon se nuk e ka peshuar fare peshën e veprës së kryer. Ky rast nuk është një kanosje e një personi të rëndomtë ndaj një personi tjetër, por është kanosje ndaj fjalës së lirë, lirisë së shprehjes dhe mediave që raportuan për një çështje të interesit publik.

Kallxo i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të shfrytëzojë mekanizmin e ankesës ndaj këtij vendimi dhe të kërkojë nga Gjykata e Apelit rritjen e dënimit dhe shqiptimin e masave plotësuese për kërcënuesin e gazetares.

 

Raportimet lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK