Foto: UP

Fakultetit të Edukimit të UP-së i akreditohet programi i përbashkët me universitetet e Talinit, Varshavës e Lubjanës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka konfirmuar se programi “Master për Inovacion dhe Cilësi në Edukim” i Fakultetit të Edukimit është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Sipas UP-së, programi “Master për Inovacion dhe Cilësi në Edukim” i Fakultetit të Edukimit është program i përbashkët i tyre me Universitetin e Talinit, atë të Varshavës dhe të Lubjanës.

“Agjencia e Akreditimit të Kosovës ka akredituar programin Master për Inovacion dhe Cilësi në Edukim si program i përbashkët ndërmjet UP-së, përmes Fakultetit të Edukimit, Universitetit të Talinit në Estoni, Universitetit të Varshavës në Poloni dhe Universitetit të Lubjanës në Slloveni” – thuhet në njoftimin e UP-së më 06.06.2024.

UP ka njoftuar po ashtu se programi i Fakultetit të Edukimit do të ofrohet në gjuhën angleze dhe do të ketë diplomë të përbashkët në kuadër të programit të Bashkimit Europian që mbështet arsimin në kontinentin e Europës – “Erasmus Plus”.

“Programi ofrohet në gjuhën angleze dhe është hartuar përmes fondeve të ‘Erasmus Plus Joint Master Degree Program’. Programi do të propozohet për financim në kuadër të programeve Master me diplomë të përbashkët në kuadër të programit Erasmus Plus dhe do të jetë në funksion të ndërkombëtarizimit dhe përafrimit të praktikave dhe programeve studimore me universitetet partnere në Bashkimin Evropian” – njofton UP.

Më shumë se dy javë më parë, KALLXO.com ka raportuar se programi “Master i inovacionit dhe cilësisë në edukim” në Fakultetin e Edukimit në UP u akreditua në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të datës 20.05.2024.

Në mbledhjen e datës 20.05.2024, Këshilli  Shtetëror i Cilësisë ka votuar për akreditimin apo mosakreditimin e disa programeve të studimit të universiteteve publike në Kosovë.

Lista me programet e studimit të universiteteve publike që anëtarët e KSHC-së vendosën që të akreditohen nuk është finale dhe pritet të publikohet.

Me këtë rast, programi “Master i inovacionit dhe cilësisë në edukim” i Fakultetit të Edukimit të UP-së u akreditua për 3 vjet për 25 studentë. Ky program nuk ndodhet në faqen zyrtare të Fakultetit të Edukimit të UP-së.