Deputeti i PDK-së bojkoton mbledhjen, shpreh pakënaqësi me përmbajtjen e Projektligjit për KPM
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Isak Shabani, e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e cila ishte thirrur me qëllim të shqyrtimit dhe votimit në lexim të dytë të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.
Shabani fillimisht ka shprehur mospajtimin që në projektligj nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ekspertes së Këshillit të Europës.
Qëllimi i këtij projektligji [në përmbajten e tanishme], siç ka thënë ai, është kapja e jo liria e mediave.
“Mund të them që ky projektligj nuk është i dëshirueshmi. Edhe në memorandumin që na është dërguar thuhet që ligji do të përafrohet me standardet e Këshillit të Europës, por rekomandimet e ekspertes nuk janë marrë parasysh. Edhe shoqëria civile ka ngritur shumë shqetësime. Nuk e di nëse në Kuvendin e Kosovës ka pasë më shumë komente për një projektligj se ky”- ka thënë ai.
“Qëllimi nuk është që të ketë liri të mediave por është qëllimi i kapjes. Unë nuk do të marrë pjesë në votimin e këtij projektligji”- ka shtuar tutje deputeti Shabani.
Në mbledhje të komisionit kanë mbetur vetëm deputetët e LVV-së edhe Fidan Jilta nga Grupi multietnik.
Në mbledhjen e mbajtur më 26.04.2024, Komisioni ishte kritikuar nga ekspertja e Këshillit të Europës në lidhje me punën në Projektligjin për KPM-në.
Më 26.04.2024, Komisioni për Media ka nisur shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për KPM-në.
Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin në këtë mbledhje kishte kritikuar punën e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës në lidhje me punën në Projektligjit të shumë-diskutuar për Komisionin e Pavarur të Mediave.
“Nuk ju interesojnë standardet e KiE-së, kjo vërtet nuk po ka ndikim”- kishte thënë ajo mes tjerash.
Ekspertja e Këshillit të Europës kritikon komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në
Ndërsa më 24.05.2024 Këshilli i Europës ka publikuar opinionin ligjor të këtij institucioni mbi projektligjin për KPM-në.
Ndërkohë, misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur këtë opinion ligjor.
Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.
“Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai të mos e minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”- është thënë nga OSBE.